Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë që kanë votat e mjaftueshme për të qeverisur vetëm.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” në KTV, Albulena Haxhiu theksoi se me rreth 56 deputetë të parashikuar në legjislaturën e re, LVV nuk synon bashkëpunim zyrtar me LDK-në.
“Nuk do të synojmë koalicion me LDK-në, pasi nuk e shohim të nevojshme,” tha ajo, duke shtuar se prioritet mbeten marrëveshjet ndërkombëtare dhe plani i rritjes ekonomike.
Përkundër mbylljes së derës për koalicion partiak, ish-ministrja e Drejtësisë la të hapur mundësinë që deputetë të veçantë nga tabori opozitar t’i bashkohen grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
“Nuk përjashtojmë mundësinë që dikush nga deputetët e partive opozitare të na bashkohet…Në situatën kur kishim insistuar për komisionin për votim të fshehtë, kishte deputet të grupeve parlamentare opozitare që në takime në Kuvend na thoshin insistoni për komisionin për votim të fshehtë pasi do t’ju mbështesim. Por, ia pamundësuan deputetëve ta ushtrojnë detyrën e tyre të votës. Dikush mund ta konsideroj qasje të padrejtë, pasi ishte e padrejtë…Mund që për shkak të këtyre veprimeve që kanë bërë, e për shkak të rezultatit zgjedhor – nuk po paragjykoj pasi nuk kam informacion se cili prej tyre mund të jetë – s’përjashtohet mundësia që dikush në të ardhmen të na bashkohet”, tha Haxhiu.
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.
Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU