Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, e ka emëruar në pozitën e nënkryetarit ish-këshilltarin e tij, Enis Osmanin, në kohën kur shërbente si ministër i Bujqësisë.
Enis Osmani në vitin 2023, në cilësinë e këshilltarit politik i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë pasi e kishte pranuar fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit.
Fillimisht, i akuzuari Osmani ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e tij dhe mbrojtësit të tij, avokatit Sabit Pllana, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.
Falsifikimi i votave kishte ndodhur në zgjedhjet e parakohshme nacionale të vitit 2017.
Osmani ishte dënuar pasi ia kishte hequr votat disa kandidatëve për deputetë, duke ia shtuar ato disa të tjerëve.
