Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën e kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit që i dha të drejtë vendimit të BQK-së për revokimin e licencës së kompanisë.
Supremja, në një aktgjykim të nxjerrë sot, e vlerësoi të pabazuar ankesën e kompanisë së sigurimeve, “Kosova e Re”.
“Gjykata Supreme refuzon si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paditësit – propozuesit, Shoqëria “Fitorja”, Sh.P.K., e përfaqësuar nga Naser Maloku-Menaxher dhe aksionar i vetëm i Kompanisë se Sigurimeve, ’’Kosova e Re”, Sh.A., të ushtruar kundër aktvendimit te Gjykatës së Apelit në Prishtinë, AA nr. 998/2021, të datës 16.11.2021”, njoftoi sot Supremja.
Me aktvendimin e gjykatës së Apelit në Prishtinë, në muajin nëntor, është aprovuar ankesa e BQK-së dhe është refuzuar kërkesa e “Kosovës së Re” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas vlerësimit të kësaj gjykate aktvendimi i goditur i Gjykatës së Apelit “është i qartë, i kuptueshëm dhe i arsyetuar mjaftueshëm për të gjitha faktet vendimore që kanë rezultuar me marrjen e tij, duke u bazuar edhe në dispozitat ligjore të Ligjit për BQK”.
