Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj katër të dyshuarve për krime lufte.
Prokuroia Speciale kishte propozuar masën e paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve, por sipas arsyetimit të Themelores për njërin nga të pandehurit nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve G.T., R.K., S.T. dhe P.T , ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, ndërsa është refuzuar kërkesa e PSRK- së ndaj të pandehurit N.T., pasi nuk është vërtëtuar dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas arsyetimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i arratisjes pasi të pandehurit posedojnë edhe pasaportë të Republikës së Serbisë dhe ekziston mundësia reale që të ikin nga Kosova, po ashtu nëse të pandehurit gjenden në liri ekziston rrezik potencial se do të ndikojnë tek dëshmitarët dhe të dëmtuarit.
Gjykata vlerësoj se nëse të pandehurit gienden në liri, përveç faktit se mund të arratisen dhe do të jenë të paarritshëm për organet e ndjekjes, masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale.
