Një vendim shtetëror e ka zgjatur monopolin e kerozinës në Aeroportin e Prishtinës edhe për shtatë vjet të tjera. Përfituese konfirmohet të jetë “Ex Fis” Sh.p.K., një nga kompanitë më të afërta me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Autoriteti i Aviacionit Civil ia ka zgjatur edhe për shtatë vjet monopolin në shërbimet e furnizimit me kerozinë të aeroplanëve kompanisë së derivateve “Ex-Fis”, e cila e mban këtë të drejtë që nga viti 2011.
Kontrata e re mes AAC-së dhe kompanisë së afërt me Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet, “Ex-Fis”, ka hyrë në fuqi nga 1 janari, tregon një dokument të cilin e ka publikuar sot portali Front Online, shkruan Paparaci.
Dokumenti përmes të cilit është vazhduar ky monopol përmes vendimit shtetëror është formuluar si “aprovim”. Ai mban datën 30 dhjetor, 2025 dhe është nënshkruar nga ushtruesi i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Arianit Islami.
“EX FIS Sh.P.K. është aprovuar si ofrues i shërbimeve në tokë për palë të treta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’”, thuhet në aprovimin e monopolit.

Lista e shërbimeve të aprovuara nga AAC për “Ex-Fis” përfshin organizimin dhe ekzekutimin e operimeve për mbushje dhe zbrazje të derviateve, deponimin e derivateve, kontrollin e cilësisë dhe sasisë së derivateve.
Ky privilegj ekskluziv, kompanisë “Ex-Fis” i është zgjatur pa iu nënshtruar konkurrencës në tregun e derivateve.
Asnjë kompani tjetër nuk është ftuar të ofertojë për ofrimin e këtij shërbimi, duke ia dhënë vulën e një monopoli të pakontestuar në furnizimin me derivate në Aeroportin e Prishtinës, shkruan Paparaci.
Republika e Kosovës e ka të rregulluar me Ligj pjesën e konkurrencës dhe monopolit dhe e njëjta vlen edhe për Aeroportin e Prishtinës, në të cilin Autoriteti i Aviacionit Civil kundërligjshëm ka lejuar krijimin e monopolit për kompaninë “Ex-Fis”.
Monopoli i kerozinës, më së shumti ka rënduar në kurrizin e qytetarëve të cilët udhëtojnë përmes Aeroportit të Prishtinës. Kosto kryesore për një fluturim është furnizimi me kerozinë i cili ndikon drejtpëdrejt në rritjen e çmimeve të biletave të udhëtimit nga kompanitë e ajrore.
Lidhjet e afërta me pushtetin dhe financimi i dikurshëm që ia kishte bërë Lëvizjes Vetëvendosje, dyshohet se i kanë sjellë përfitime të tjera të mëdha kompanisë së karburanteve me seli qendrore në Prishtina.
E njëjta kompani dyshohet se përfiton nga vendimet shtetërore edhe në Korportatën Energjetike të Kosovës, ku po krijohet një monopol i ngjashëm në furnizimin me mazut.
Ka mbi dy vjet që kompania e karburanteve “Ex Fis” përfiton tenderë të njëpasnjëshëm për furnizim me mazut.
Kontratat në vlerë të përbashkët disa milionëshe nga KEK-u, kompania e derivateve i ka fituar nën arsyetimin e bllokimit të procedurës së hapur tenderuese – pra, me konkurrencë – për furnizim me mazut nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP).
“Ex Fis” është zyrtarisht financuese e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila që prej ardhjes në pushtet pas zgjedhjeve të shkurtit 2021, e ka shtrirë aq shumë ndikimin në KEK sa aktualisht e kontrollon plotësisht ndërmarrjen.
Në një raport të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi shpenzimet e partive politike parlamentare në vitin 2019, kompania në pronësi të biznesmenit Isa Muharremi, figuron si mbështetëse e Vetëvendosjes me donacion në vlerë të mallrave prej 9 mijë euro.

Edhe të dhënat e shpenzimeve të LVV-së për periudhën pas vitit 2019, nga 2020 deri më 2024, të publikuara në faqen e KQZ-së, tregojnë se partia është furnizuar ekskluzivisht nga kjo kompani për derivatet e automjeteve të saj.
“Ex Fis” figuron se ka dhuruar edhe donacione në vlerë monetare për partinë e Albin Kurtit. /Paparaci.com
