Pas përplasjeve në Prishtinë, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve është zhvendosur në Pejë. Atje është përfshirë në një grumbull veprimesh të papërgjegjshme në rastin e një objekti shumëkatësh afër xhamisë “Taftali”. Disa vendime të dyshimta gjyqësore kanë vendosur në rrezik sigurinë juridike të palëve të përfshira në proces.
Punimet për ndërtimin e një objekti shumëkatësh në afërsi të Xhamisë së Taftalisë, në zonën qëndrore të Pejës, janë pezulluar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Leja ndërtimore e lëshuar nga Komuna e Pejës ka përfunduar në një betejë ligjore mes Komunës dhe Ministrisë së Kulturës, ku një nga çështjet kryesore mbetet përfshirja e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, i “famshëm” për implikim në projektet e qeverisjes së Përparim Ramës në Prishtinë.
I njëjti institut është kthyer në një “mollë sherri” për qeverisjen e Gazmend Muhaxherit, homologut të Përparim Ramës në Pejë.
Në prill të vitit të kaluar, Komuna e Pejës lëshoi leje ndërtimore për një objekt gjashtë-katësh në afërsi të Xhamisë së Taftalisë në lagjen e quajtur “Sahat Kulla”. Leja iu dha një investitori privat dhe për ndërtimin e objektit dha pëlqim edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë.
Paraprakisht, investitori aplikoi për leje në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore.
Por Instituti nuk e trajtoi lëndën brenda afatit 15-ditor të paraparë me Ligj, duke i hapur rrugë Komunës së Pejës për lëshimin e lejës ndërtimore duke u thirrur në “heshtjen administrative” të organit ministror.
Kjo heshtje që derivoi si pasojë e neglizhencës së papërgjegjshme të zyrtarëve të IMMK-së në trajtimin e aplikimit të investitorit për leje, është pikënisja e një problemi që shkoi duke u trashur.
Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK) që operon si trupë brenda Ministrisë së Kulturës, iu kujtua rasti i xhamisë që listohet si monument i mbrojtur me Ligj që nga marsi i vitit 2025, rreth pesë muaj pasi “heshti administrativisht” për një çështje që është kompetencë e drejtpërdrejtë e saj.
Më 1 tetor 2025, Ministria parashtroi padi kundër vendimit për leje ndërtimore të Komunës së Pejës dhe kërkoi vendosjen e masës së sigurisë ndaj lejës ndërtimore.
Sipas padisë së Ministrisë, leja është lëshuar ngjitur me asetin e trashëgimisë kulturore, Xhamisë së Taftalisë në Pejë, “një hapësire që i ka mbijetuar kohës dhe është një ndër vendet më të vizituara të objekteve të kulteve fetare”.
“Paditësja (Ministria e Kulturës, v.j) pretendon se fillimi i ndërtimeve të objektit afarist në hapësirën e kontestuar, rrezikon dëmtimin e asetit të trashëgimisë kulturore, pra xhamisë, për shkak të kontekstit arkitektonik të zonës”, thuhet në akt-padinë e parashtruar nga Ministria.
“Monumentet e tilla kulturore nuk mund të rikthehen në gjendjen fillestare në rast dëmtimi”, thuhet në padi.
Në gjykatë, Komuna e kundërshtoi padinë. Tha se investitori i është drejtuar IMMK-së por meqë Instituti ka heshtur leja është vetëkuptuar dhe “tek më vonë i është drejtuar Komunës së Pejës me kërkesë për leje ndërtimore sipas heshtjes administrative”.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë, që është palë e interesit në këtë rast, ka theksuar se kërkesa për masë të sigurisë nuk është e bazuar sepse Xhamia e Taftalisë nuk ndodhet në listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore “që tani e disa kohë”.
BIK në Pejë ka shtuar se objekti i paraparë për ndërtim nuk e pengon objektin e xhamisë, “madje ka distancë të mjaftueshme” me ndërtesën që planifikohet të ngritet aty.
Vendimet kundërthënëse të gjykatave ndalojnë punimet
Katër vendime të dy shkallëve të gjykatave, asaj të parë dhe të dytë, hedhin dyshime mbi interpretimin e drejtë dhe të ligjshëm të fakteve në këtë rast.
Një nga çështjet kyçe juridike në këtë rast mbetet nëse padia është paraqitur në Gjykatë brenda afateve të parapara ligjore dhe nëse gjykata ka krijuar një “afat artificial” për aprovimin e padisë si të bazuar dhe të pasafatshme, si “korrigjim” i zvarritjes pesë mujore nga lëshimi i lejës ndërtimore deri te atakimi i tij në gjykatë.
Masa e sigurisë që i ka ndaluar punimet në ndërtesën shumëkatëshe ka marrë formë të prerë rreth tri javë më parë, më 27 mars të këtij viti, përmes një aktvendimi të Gjykatës së Apelit.
Në këtë aktvendim, një kolegj gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hajriz Hoti e ka vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, të nxjerrë më 5 shkurt të këtij viti, edhe pse ai është dukshëm i paqartë dhe kundërthënës.
Aktvendimi që tashmë ka marrë formë të prerë e konsideron të afatshme padinë e paraqitur nga Ministria e Kulturës, duke e llogaritur rrjedhjen e afatit deri te paraqitja e padisë nga momenti kur Ministria gjoja është vënë në dijeni për nxjerrjen e aktit administrativ të kontestuar.
Leja ndërtimore është nxjerrë më 30 prill 2025. Gjykata, praktikisht ka thënë se afati ka filluar të rrjedhë më 15 korrik të vitit të kaluar, në momentin kur Ministria është njoftuar për lëshimin e lejës ndërtimore. Ka llogaritur një muaj tjetër nga momenti i vënies në dijeni deri te parashtrimi i ankesës administrative dhe një muaj tjetër afat për paraqitjen e padisë në gjykatë, më 1 tetor 2025.
Gjykata nuk e ka arsyetuar plotësisht nëse ankesa administrative ka qenë e detyrueshme sipas Ligjit.
“Paditësja [Ministria e Kulturës, v.j] ka theksuar se nga dita e nesërme (16.07.2025) ka nisur të rrjedhë afati për paraqitjen e ankesës, pasi që nga data 15.07.2025 konsiderohet se paditësja ka rënë në dijeni për vendimin në fjalë. Paditësja, me datën 04.08.2025 ka paraqitur ankesë ndaj vendimit në fjalë dhe e njëjta me datë 09.09.2025 i është drejtuar organit kompetent për zgjidhjen e ankesës, me kërkesë të re për nxjerrjen e aktit, përkatësisht pasi që nuk i është përgjigjur lidhur me ankesën”, thuhet në aktvendim.
Me këtë formulë, gjyqtarja e shkallës së parë në Prishtinë, Rajmonda Kurteshi ka vlerësuar se padia ishte paraqitur brenda afateve ligjore, edhe pse ajo është në kundërshtim me nenin 18 të Ligjit të Procedurës Kontestimore i cili, mes tjerash, thotë se padia për anulimin e një akti administrativ “mund të paraqitet 30 ditë nga: 1.1. njoftimi i vendimit që zgjidh ankesën administrative apo kalimi i afatit për njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën administrative apo 1.2. njoftimi i aktit administrativ të shkallës së parë, nëse shterimi i mjeteve juridike administrative nuk është kusht për pranimin e padisë”.
“Gjykata, bazuar në dispozitat ligjore të cituara më lartë dhe provave të bashkëngjitura, ka gjetur se paditësja ka paraqitur padinë brenda afatit ligjor të paraparë me dispozitat ligjore të LKA-së, ngase nga provat e bashkëngjitura në shkresat e lëndës nga palët ndërgjygjëse, rezulton se paditësja, me datë 15.07.2025 është njoftuar për vendimin të cilin e konteston dhe e njëjta ka pasur të drejtën e paraqitjes së ankesës nga data 16.07.2025 në afatin prej 30 ditësh, ashtu siç është paraparë me vendimin e kontestuar dhe me dispozitën ligjore të nenit 127 të LPPA-së, fakt i argumentuar me përgjigjen në shkresën e lëshuar nga Komuna e Pejës, me datë 15.07.2025”.
Vetë kolegji i Apelit, në shqyrtimin e parë të rastit e kishte hedhur poshtë aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë për caktimin e masës së sigurisë pasi e kishte konstatuar atë të pasafatshme. Kolegji, duke iu referuar pikërisht nenit 18 të LPK-së, kishte konstatuar se ky ligj parasheh një afat 30-ditor për paraqitjen e padisë, ndërsa rasti ishte atakuar rreth pesë muaj me vonesë.
Neni 18 i LKA-së, të cilin e ka cituar Apeli në aktvendim, thotë se padia për anulimin e një akti administrativ dhe “padia për nxjerrjen e një akti administrativ që është refuzuar shprehimisht, mund të paraqitet 30 ditë nga: 1.1. njoftimi i vendimit që zgjidh ankesën administrative apo kalimi i afatit për njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën administrative apo 1.2. njoftimi i aktit administrativ të shkallës së parë, nëse shterimi i mjeteve juridike administrative nuk është kusht për pranimin e padisë. Padia për anulimin e një akti administrativ mund të paraqitet nga paditësi, brenda dy muajve nga momenti kur ai ka marrë apo duhej të merrte dijeni në çfarëdo rruge…”.
Kolegji i Apelit, po ashtu kishte vërejtur se gjykata e shkallës së parë nuk e ka vlerësuar fare pretendimin e ankuesve nga përgjigjet e tyre se padia e paditëses është e pasafatshme “me arsyetim se vendimi është kontestues është i datës 30.04.2025, ndërsa paditësja në padinë në gjykatë e ka parashtruar me datë 01.10.2025”.
E kishte obliguar themeloren që në ri-procedurë t’i mënjanojë “të metat e vërejtura sipas këtij aktvendimi” dhe të vërtetojë faktin e momentit të pranimit të vendimit nga Ministria e Kulturës.
Pas aktvendimit të formës së prerë për masën e sigurisë, gjykata do të vendosë për çështjen meritore të rastit. Dilemat mbi respektimin e afateve ligjore mund të ndikojnë fatin e kontestit gjyqësor në tërësi, sidomos nëse konstatohet se afatet për ushtrimin e mjeteve juridike janë tejkaluar.
Të martën, Paparaci ka kërkuar sqarime nga Gjykata e Apelit sesi e ka nxjerrë arsyetimin për llogaritjen e afateve të padisë nga momenti i paraqitjes së ankesës administrative, edhe pse kjo ankesë është ushtruar disa muaj pas nxjerrjes së aktit administrativ por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje.
As Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK) nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet me shkrim që Paparaci ka dërguar në adresë të znj. Rrezarta Loxha-Vitakut, ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së IMMK-së në raport me vonesat e pashpjegueshme të Institutit në trajtimin e lëndës.
Rasti i xhamisë në Pejë është shembull i qartë sesi kur institucionet heshtin, monumentet mbeten pa mbrojtje ndërsakur gjykatat përpiqen të korrigjojnë gabimet e organeve publike,mund të cenojnë sigurinë juridike të palëve. /Paparaci.com
