Dokumentet e siguruara nga Paparaci zbulojnë se kompania Mabco, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacollit, është përjashtuar nga projekti i Aeroportit të Vlorës për shkak të shkeljeve të rënda kontraktuale dhe vonesave në punime. Dëmet e shkaktuara ndaj Aeroportit të Vlorës vlerësohen të kenë arritur 4.6 milionë euro.
Mabco Constructions është përjashtuar nga projekti i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, për shkak të vonesave të shkaktuara në përfundimin e punimeve në terminal dhe disa pjesë të tjera të Aeroportit.
Kompania në pronësi të biznesmenit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shkelur marrëveshjen kontraktuale me shoqërinë koncensionare “Vlora International Airport” [VIA], e cila menaxhon Aeroportin e Vlorës.
Vendimin për ndërprerjen e kontratës, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) e mori të enjten më 14 maj, tregon një dokument që e ka siguruar Paparaci.
Dokumenti është një njoftim i VIA drejtuar Mabco-s për ndërprerjen e kontratës.
Sipas njoftimit, punimet për të cilat është kontraktuar “Mabco Constructions” ishin paraparë të përfundonin më 3 shkurt të vitit 2025.
Rreth një vit më vonë, punimet në dorë të “Mabco Constructions” – bashkëaksionare në Aeroportit e Vlorës – nuk janë finalizuar ende. Dhe, dëmet e vlerësuara nga shkelja e kontratës kanë arritur vlerën e mbi 4.6 milionë eurove, vlerëson njoftimi.
“Dëmet për vonesë kanë arritur në 4,290,000 euro më 8 prill 2026 dhe në 4,490,000 euro më 28 prill 2026, ndërsa vlerësimi i përditësuar deri në momentin e ndërprerjes arrin në 4,690,000 euro”, thuhet në njoftimin për ndërprerjen e kontratës.
“Norma ditore e dëmeve për vonesë është 10,000 euro në ditë, dhe këto dëme vazhdojnë të akumulohen deri në përfundimin e punimeve ose zgjidhjen e kontratës”, theksohet në njoftim.
Sipas njoftimit të cilin e ka nxjerrë administratori i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Vegim Hoxha, kontrata e Mabco-s për punët ndërtimore ndërpritet “me efekt të menjëhershëm në momentin e pranimit kontraktual të këtij njoftimi.”
“Kontraktori përjashtohet nga kantieri dhe duhet të ndalojë menjëherë të gjitha punimet, përveç atyre të urdhëruara me shkrim për qëllime sigurie dhe dorëzimi”, thuhet në njoftim.
Kjo është arsyeja pse mëngjesi i së hënës nisi me tensione në derën hyrëse të kantierit në Aeroportin e Vlorës.
Punonjës të Aeroportit, shoqërisë që mori me koncension nga shteti ndërtimin dhe menaxhimin e tij, bllokuan hyrjen në kantier të rreth 200 punonjësve të Mabco Constructions dhe nënkontraktorëve të tij.

Zyrtarë të kompanisë Mabco Constructions thanë për mediat se nuk kishin marrë njoftim për bllokimin e hyrjes së punëtorëve, edhe pse njoftimi për ndërprerje të kontratës i ishte nisur atyre para katër ditësh.
Aeroportin e Vlorës, akualisht e administron kompania “2A Group” e biznesmenit kosovar Valon Ademi, e cila fitoi këtë të drejtë në gjykatë pas përfshirjes në një konflikt gjyqësor me Mabco Constructions të Pacollit.
Konflikti ligjor mes aksionarëve të koncensionit, 2A Group dhe MABCO Construction, nisi vitin e kaluar si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy palëve për kuotat e aksioneve.
Para disa muajsh, Gjykata e Tiranës vendosi në favor të kompanisë 2A Group për përjashtimin e ortakut të koncensionit, Mabco Constructions, nga e drejta e votës në bordin e ndërmarrjes.
Ndalimi nga Gjykata i votës së MABCO Construction në VIA Sh.p.k ka derivuar si pasojë e dyshimit të bazuar se ekzistonte rrezik real që Aeroporti i Vlorës të humbiste kontrollin shqiptar përmes një skeme financiare të fshehtë.
Pacolli dhe njerëzit e tij ia dyshohet se ia shiten aksionet e Aeroportit të Vlorës kompanisë “Delphos Securities Sarl”, duke e mashtruar aksionarin tjetër, 2A Group-in e Valon Ademit që fitoi koncensionin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. /Paparaci.com



