Regina Group Construction zgjeron bashkëpunimin me diasporën shqiptare në SHBA dhe Kanada
New York, SHBA – Regina Group Construction me pronar Vasil Bedinaj vazhdon të forcojë praninë e saj ndërkombëtare dhe lidhjet me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hapur rrugë për bashkëpunime të reja në sektorin e turizmit dhe investimeve në bregdetin shqiptar.
Në kuadër të këtij angazhimi, përfaqësuesi ligjor i Regina Group Construction, Azem Bujupi, zhvilloi një takim në New York me veprimtarin dhe biznesmenin e njohur shqipëtar Agim Aliçkaj, pronar i agjencisë turistike Kosova Tours dhe një personalitet i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë për kontributin e tij të vazhdueshëm në çështjet kombëtare dhe promovimin e interesave shqiptare në SHBA dhe Kanada.
Takimi u zhvillua në ambientet e Kosova Tours në New York, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet agjencive turistike shqiptaro-amerikane dhe strukturës hotelerike të Regina Group në jug të Shqipërisë.
Palët shprehën interes të madh për krijimin e partneriteteve konkrete që do t’u mundësojnë shqiptarëve në SHBA dhe Kanada qasje më të lehtë në ofertat turistike dhe akomoduese të Regina Group. Po ashtu, u diskutua mundësia e finalizimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Kosova Tours dhe strukturave hotelerike të Regina Group për promovimin e turizmit shqiptar në tregun e Amerikës së Veriut dhe Kanada.
Ky zhvillim vjen në një moment të rëndësishëm për turizmin shqiptar, veçanërisht në prag të projekteve të ardhshme që pritet të rrisin ndjeshëm lidhjet ndërkontinentale, përfshirë edhe fluturimet direkte mes New York-ut dhe Vlorës, të cilat pritet të krijojnë mundësi të reja për turistët, investitorët dhe diasporën shqiptare.
Regina Group Construction, e cila aktualisht operon me projekte të shumta rezidenciale dhe turistike në Vlorë dhe përgjatë rivierës shqiptare, tashmë ka zyrën e saj të shitjeve në Prishtinë, ndërsa së shpejti pritet të zgjerojë prezencën e saj edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky bashkëpunim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt afrimit të diasporës me mundësitë e investimit dhe zhvillimit turistik në Shqipëri, duke krijuar ura të reja ekonomike ndërmjet trojeve shqiptare dhe komunitetit shqiptaro-amerikan.

