Kandidati i PDK-së për deputet, Rrahman Rama, ka zhvilluar një takim në Gjilan me veteranë, invalidë të luftës, familje të dëshmorëve dhe simpatizantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se gjatë këtij tubimi ka rikujtuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare, teksa falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe respektin e treguar ndaj tij.
“U mblodhëm në Gjilan me shokët e luftës veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve e simpatizantë të UÇK-së. Kur ma vendosën flamurin e UÇK-së në prehër, e rikujtova edhe një herë se sa e rëndësishme është mbrojtja e vlerave të luftës”, ka shkruar Rama.
Ai ka kritikuar ata që, sipas tij, cenojnë dhe ofendojnë trashëgiminë e luftës së UÇK-së.
“STOP do t’u themi edhe atyre që jo rrallë po na ofendojnë këto vlera të shenjta”, ka deklaruar kandidati i PDK-së.
Në fund, Rama ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e marrë nga pjesëmarrësit në takim.
“Faleminderit për respektin e mbështetjen. Mirënjohës përjetë!”, ka përfunduar ai.
