Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar në mbledhjen e radhës raportin mbi përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku është theksuar se procesi logjistik dhe administrativ po zhvillohet sipas planit të paraparë, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se raporti pasqyron përgatitjet logjistike dhe administrative për ditën e zgjedhjeve.
Ai ka bërë të ditur se janë transportuar edhe pajisjet e teknologjisë informative, përfshirë kamerat në vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisje të tjera mbështetëse.
Po ashtu, Buzhala ka theksuar se janë pranuar dhe kontrolluar të gjitha format dhe formularët zgjedhorë, ndërsa shpërndarja e tyre në komuna pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Ndërkaq, materialet e ndjeshme zgjedhore, si fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve, vulat dhe materialet e tjera përkatëse, do të shpërndahen në komunat e Kosovës më 6 qershor, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës Policia e Kosovës.
Raporti vë në pah edhe përfundimin e trajnimeve për këshillat e vendvotimeve dhe për stafin që do të angazhohet në publikimin e rezultateve preliminare.
“Deri më tani janë funksionalizuar 30 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa tetë të tjera pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme. Po ashtu, ka vazhduar edhe trajnimi i ekipeve të numërimit”, tha ai.
Sa i përket votimit jashtë Kosovës, ai ka deklaruar se materialet zgjedhore për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar në gjendje të rregullt dhe janë ruajtur sipas procedurave të parapara, ndërsa janë zhvilluar edhe trajnimet për stafin që do të angazhohet në këto qendra votimi.
“Sa i përket votimit jashtë Kosovës, materialet zgjedhore për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar në gjendje të rregullt dhe janë ruajtur sipas procedurave të parapara, ndërsa janë zhvilluar edhe trajnimet për stafin që do të angazhohet në këto qendra votimi. Deri më 4 qershor janë tërhequr gjithsej 39,405 zarfe me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në Gjermani dhe Zvicër”, tha ai.
