Një tërmet me fuqi 7,8 ballë të shkallës Rihter goditi sot në mëngjes ishullin Mindanao në jug të Filipineve, duke shkaktuar të paktën 20 viktima dhe mbi 120 të plagosur.
Lëkundjet e forta nxitën paralajmërime për cunami në disa vende të rajonit, të cilat u hoqën disa orë më vonë pasi rreziku u vlerësua si i kufizuar.
Sipas Institutit filipinas të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë (Phivolcs), tërmeti ndodhi në orën 07:37 sipas kohës lokale, me epiqendër në jugperëndim të qytetit Maasim, në provincën Sarangani. Fillimisht, Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor dhe Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve (USGS) e vlerësuan magnitudën në 8.2, por më pas e korrigjuan në 7.8.ë
Menjëherë pas goditjes, autoritetet filipinase lëshuan paralajmërim për cunami, duke paralajmëruar për valë deri në 3 metra në disa zona bregdetare. Banorëve të zonave pranë detit iu kërkua të largoheshin drejt vendeve më të sigurta. Paralajmërime të ngjashme u shpallën edhe në pjesë të Indonezisë dhe përgjatë disa segmenteve të bregdetit të Paqësorit në Japoni.
Nga viktimat e raportuara deri tani, shtatë humbën jetën në qytetin General Santos, një nga zonat më të prekura nga tërmeti. Tre persona u vranë në qytetin Glan të provincës Sarangani, dy të tjerë në Tupi të provincës South Cotabato dhe tre në provincën Davao Occidental. Autoritetet theksuan se bilanci mund të ndryshojë pasi operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
Zyrtarët e mbrojtjes civile njoftuan se ekipet e emergjencës po punojnë për të nxjerrë persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në ndërtesa të dëmtuara, përfshirë një shkollë. Vlerësimi i dëmeve materiale dhe numri i saktë i viktimave janë ende në proces.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan ndërtesa të shembura ose pjesërisht të dëmtuara në rajonin e Mindanaos. Shërbimet e energjisë elektrike dhe telekomunikacionit u ndërprenë në disa zona, ndërsa autoritetet pezulluan mësimin në shkolla dhe aktivitetin në një pjesë të zyrave publike e private.
Presidenti filipinas, Ferdinand Marcos Jr., urdhëroi menjëherë marrjen e masave emergjente dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Ndërkohë, paralajmërimet për cunami u hoqën pasi valët e regjistruara arritën deri në 1.4 metra në Filipine dhe mbetën të kufizuara edhe në Indonezi. Rajoni i Mindanaos ndodhet në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një nga zonat më aktive sizmike dhe vullkanike në botë.
