Të fundit

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për barrikadat, pezullohen hetimet ndaj Radoiçiqit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për rastin e vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës në dhjetorin e vitit 2022.

Të akuzuarit janë D.M, D.D, M.R, N.J, N.O dhe S.V, tha Prokuroria Speciale në një komunikatë për media të mërkurën.

Ata akuzohen se, në periudhën nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës, kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Aktakuza thotë se të pandehurit, përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë organizuar dhe vendosur barrikada në rrugët kryesore, duke përdorur mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Sipas Prokurorisë, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion.

Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë janë pezulluar përkohësisht për arsye se nuk janë ende të arritshëm për organet e ndjekjes.

Bëhet fjalë për të dyshuarit M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R. dhe dy persona të tjerë me inicialet M.R.

Në mesin e personave të arratisur, të hetuar për këtë rast, është edhe kryekrimineli i Banjskës, Millan Radoiçiq.

Barrikadat ishin ngritur pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq. Pantiqi qe arrestuar pasi ka organizuar sulmin ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore në veri. Ishte dënuar me dy vjet burgim në vitin 2025.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci