Derisa numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po vazhdon në Qendrën Komunale të Numërimit, gara për zonën e mandateve mbetet e hapur edhe në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku disa kandidatë ndahen me vetëm dhjetëra apo qindra vota.
PDK, e cila ka fituar 21,13% të votave brenda vendit, aktualisht siguron 24 mandate në legjislaturën e re. Mandatet mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht, nga përfaqësitë diplomatike dhe sidomos të atyre me postë. Projektimet shkojnë në dëm të partisë, e cila rrezikon të humbë dy mandate.
Pikërisht ky mandat në pikëpyetje, po luftohet fortë nga kandidatët për deputetë në garë.
Aktualisht, mandatin e fundit të deputetëve burra në listën e PDK-së e siguron mjeku i Qendrës Klinike Universitare (QKUK), Adriatik Berisha, i cili pas numërimit të 66% të vendvotimeve ka fituar 11,865 vota.
Një përmbysje e renditjes ka ndodhur te kandidatët në garë për këtë mandat.
Berisha, nuk ndiqet më nga kandidati dhe ish-deputeti Hajdar Beqa. Aktualisht, menjëherë prapa tij renditet deputeti i shumë legjislaturave Xhavit Haliti, i cili numëron vetëm 181 vota më pak sesa Berisha.
Ish-deputeti nga Peja ka siguruar 11,686 vota deri në këtë fazë të numërimit.
Diferenca prej 181 votave mund të shkrihet lehtë nëse vijon trendi i ngritjes së votës së Halitit, pasi kanë mbetur të numërohen edhe rreth 50 mijë vota të tjera për Partinë Demokratike të Kosovës.
