Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Drita Morina, e cila kishte paralajmëruar mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Përmes një deklarate publike, KMShK bëri të ditur se në një vendimmarrje urgjente online, anëtarët e këtij institucioni kanë dënuar ashpër deklarimin e Morinës, duke vlerësuar se ai nuk mbështetet në Kodin e Etikës të KPM-së.
Sipas KMShK-së, organet e pavarura duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë trajtimit të ankesave të tipit SLAPP kundër mediave, veçanërisht kur ato parashtrohen nga përfaqësues të partive politike.
“KMShK i bën thirrje KPM-së që të ruajë pavarësinë dhe të gjykojë drejt, në përputhje me standardet e Kodit të Etikës të KPM-së”, thuhet në reagim.
Po ashtu, Këshilli u ka bërë thirrje anëtarëve të KPM-së që të përmbahen nga deklaratat që i cilëson si të pamatura dhe të pabazuara lidhur me cilësinë e raportimit në mediat e vendit.
Sipas KMShK-së, deklarata të tilla paralajmëruese përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.
Në fund të reagimit, KMShK ka kërkuar nga anëtarët e tjerë të KPM-së që të distancohen publikisht nga iniciativa të tilla, për të cilat vlerëson se ndikojnë seriozisht në lirinë e mediave në Kosovë.
