Botërori 2026, më i madhi ndonjëherë për numrin e skuadrave pjesëmarrëse (48), është tashmë pranë. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në tre vende të ndryshme dhe në dy ditë të ndara. Si gjithmonë, emra të mëdhenj do të jenë protagonistë të spektaklit hyrës dhe FIFA ka bërë të ditur se plot 900 persona do të përfshihen në organizimin e tij. E gjithë organizimi i është besuar Balich Wonder Studio, agjenci milaneze e specializuar në konceptimin dhe projektimin kreativ të eventeve të mëdha të këtij lloji.
Në krye të agjencisë është Marco Balich, i cili është marrë më parë me disa ceremoni hapëse olimpike dhe me atë të Botërorit 2022 në Katar. Për më tepër, studioja ishte ajo që konceptoi ndezjen historike të njëkohshme të flakëve olimpike mes Milanos dhe Cortina d’Ampezzo. Pra, shumë përvojë në drejtimin e një eventi që premton të jetë historik dhe ndryshe nga çdo Botëror tjetër në 96 vitet e ekzistencës së kompeticionit.
Programi
Ditët e shënuara me të kuqe në kalendar për nisjen e eventit janë dy: 11 qershori në Meksikë dhe 12 qershori në Kanada dhe SHBA.
11 qershor
Meksikë
Vendndodhja: Stadio Azteca, Mexico City
Ora: 11:30 lokale (19:30 në Shqipëri)
Të ftuar: Shakira me Burna Boy për këngën zyrtare “Dai”, Alejandro Fernandez, Belinda, Danny Ocean, J Balvin, Lila Downs, Los Angeles Azules, Mana dhe Tyla.
Ndeshja hapëse: Meksikë – Afrika e Jugut, ora 13:00 lokale (21:00 në Shqipëri)
12 qershor
Kanada
Vendndodhja: BMO Field, Toronto
Ora: 13:30 lokale (21:30 në Shqipëri)
Të ftuar: Alanis Morissette, Michael Buble, Alessia Cara, Elyanna, Jessie Reyez, Nora Fatehi, Sanjoy, Vegedream, William Prince.
Ndeshja: Kanada – Bosnje-Hercegovinë, ora 15:00 lokale (23:00 në Shqipëri)
12 qershor
Shtetet e Bashkuara
Vendndodhja: SoFi Stadium, Los Angeles
Ora: 16:30 lokale (00:30 në Shqipëri)
Të ftuar: Katy Perry, Future, Anitta, LISA, Rema, Tyla (dhe të tjerë, ende të pa shpallur).
Ndeshja: SHBA – Paraguai, ora 18:00 lokale (02:00 në Shqipëri)
Mes kurioziteteve, Shakira bëhet artistja e parë dhe e vetme në historinë e Botërorëve që ka shkruar dhe interpretuar himnin zyrtar të Kupës së Botës në dy edicione të ndryshme. Pas suksesit të madh të “Waka Waka” në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010, ajo rikthehet me këngën “Dai Dai” për edicionin 2026. Për më tepër, kjo është deri tani ceremonia e vetme hapëse e një Kampionati Botëror e ndarë në tre qytete. Në të gjitha rastet e tjera kur dy vende kanë bashkëorganizuar turneun, ceremonia është zhvilluar vetëm në një stadium të vetëm, si në rastin e Kore-Japoni 2002, kur stadiumi i Seulit ishte skena e vetme e ceremonisë.
Është e mundur që kjo formulë të përsëritet edhe në vitin 2030, edicioni i njëqindtë i turneut, ku ndeshjet do të zhvillohen në gjashtë vende: Spanjë, Portugali, Marok, si dhe ndeshje të veçanta në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai për të nderuar edicionin e parë. Së fundi, me këtë edicion, Stadio Azteca në Mexico City bëhet stadiumi i parë dhe deri tani i vetmi në histori që ka pritur tri ceremoni hapëse: 1970, 1986 dhe 2026.
Ndeshja hapëse: Meksikë – Afrika e Jugut
Sipas traditës, ceremonia zhvillohet pak para ndeshjes hapëse të luajtur nga kombëtarja e vendit organizator: në këtë rast Meksikë-Afrika e Jugut. E para do të mbahet pikërisht sonte, të enjten më 11 qershor në Estadio Azteca (i riemërtuar zyrtarisht Mexico City Stadium për kompeticionin), i cili bëhet impianti i parë në historinë e futbollit që pret tri ndeshje hapëse të një Botërori (pas viteve 1970 dhe 1986).
Fishkëllima e parë e ndeshjes mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut është planifikuar për orën 21:00 në Itali, ndërsa spektakli para ndeshjes do të zhvillohet në fushën e Azteca-s në minutat menjëherë para fillimit, afërsisht rreth orës 20:00–20:30.
Meksikë-Afrika e Jugut: formacionet e mundshme
Meksika (4-2-3-1): Rangel; Sánchez, Álvarez, Vásquez, Gallardo; Romo, Chávez; Pineda, Fidalgo, Alvarado; Jiménez. Trajner: Aguirre.
Afrika e Jugut (4-2-3-1): Williams; Mudau, Sibisi, Ndamane, Modiba; Mokoena, Mbatha; Appollis, Zwane, Mofokeng; Foster. Trajner: Broos.
