Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ditën e çlirimit të Kosovës ka thënë se 12 Qershori na rikthen në kujtesë sakrificën e madhe të popullit tonë, guximin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ëndrrën për liri që u bë realitet.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Limaj ka thënë se me respekt kujton ata që dhanë jetën për atdheun.
Postimi i tij i plotë:
Sot, me krenari në zemër dhe me mirënjohje të pafund, kujtojmë ditën kur Kosova mori frymën e lirisë. 12 Qershori është dita që na rikthen në kujtesë sakrificën e madhe të popullit tonë, guximin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ëndrrën për liri që u bë realitet.
Me respekt të thellë kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për atdheun. Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së që sakrifikuan gjithçka që Kosova të jetojë e lirë.
Në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë, shprehim mirënjohjen më të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe të gjithë aleatët që qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira.
Gëzuar Dita e Çlirimit, Kosovë!
Lavdi UÇK-së!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
