Sot në orët e mbrëmjes, në Kosovë pritet të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore dhe në intervale të shkurtra kohore, për shkak të lëvizjes së eskortës presidenciale.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes, ardhjes sot në orët e pasdites në pikën kufitare Vërmicë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës deri në kthim e cila po ashtu ndodh sot në orët e mbrëmjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore, ku mund të ketë edhe riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.
