Vendimi për mënyrën e transmetimit të Kampionatit Botëror 2026 në Kosovë ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, pasi një pjesë e madhe e ndeshjeve do të jenë të qasshme përmes platformës TV Vala, ku për paketën e plotë kërkohet pagesë prej 19.99 eurosh.
Polemikat lidhen me faktin se Radio Televizioni i Kosovës financohet nga paratë publike, ndërsa qytetarët po kërkojnë sqarime se pse një ngjarje sportive me interes të gjerë nuk po u ofrohet në mënyrë të plotë përmes televizionit publik.
Sipas njoftimeve për marrëveshjen, RTK dhe Telekomi i Kosovës kanë bashkëpunuar për sigurimin e të drejtave të transmetimit të Kampionatit Botëror 2026, ndërsa TV Vala ka krijuar pakon e dedikuar për ndjekjen e të gjitha 104 ndeshjeve.
Qytetarë të shumtë kanë shprehur pakënaqësi në rrjete sociale, duke thënë se nuk është e drejtë që një event që tradicionalisht ndiqet nga familje të tëra të bëhet i kushtueshëm.
Një nga reagimet e shpërndara në rrjete sociale thuhet:
“Televizioni publik që paguhet prej taksave tona, për shkak të keqmenaxhimit të financave që i kanë bërë, me pësu na qytetarët? Edhe më e keqja është se nuk është fjala për mos transmetim të ndeshjeve, por janë zgjedhur vetëm disa ndeshje.”

Edhe anëtari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Blerand Rukiqi, ka ngritur shqetësime lidhur me këtë çështje, duke kërkuar përgjegjësi dhe duke kritikuar faktin që qytetarët po përballen me kufizime për një përmbajtje që konsiderohet me interes publik.
