Të fundit

Dushan Janjiq për zgjedhjet në Kosovë: Kurti nuk e ka më Vuçiqin për tangon politike

“Para së gjithash, modeli i politikës që po ndjek Kurti nuk është më një tango mes dy vetave – Vuçiqit dhe Kurtit. Tani është Kurti pa Vuçiqin”, thotë kryetari i Bordit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiq, duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, rënien e pjesëmarrjes së përgjithshme në votime dhe uljen e mbështetjes për Vetëvendosjen, me vlerësimin se kryeministri i Kosovës po përballet me kufijtë e modelit mbi të cilin e ka ndërtuar mbështetjen politike për vite me radhë, transmeton Paparaci.

Për më shumë se 16 muaj, në Kosovë ka qenë aktuale kriza institucionale, ndërsa më 7 qershor partitë politike zhvilluan një garë të re zgjedhore. Duket se Vetëvendosja e Albin Kurtit doli fituese morale, duke fituar 42.91 për qind të votave  – rezultat shumë i ngjashëm me atë të shkurtit të vitit të kaluar, por 9 për qind më pak se në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor.

Të dhënat mbi pjesëmarrjen në zgjedhje (37.04%) tregojnë se ajo ishte 10 për qind më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit.

Janjiqi konsideron se në uljen e pjesëmarrjes kanë ndikuar “dy lloje lodhjeje”.

“Para së gjithash, modeli i politikës që po ndjek Kurti nuk është më një tango mes dy vetave – Vuçiqit dhe Kurtit. Tani është Kurti pa Vuçiqin. Në dy ciklet e fundit zgjedhore, ai e ka përdorur retorikën e tij duke theksuar se e ka mposhtur nacionalizmin serb, ka dëbuar kriminelët dhe ka vendosur kontroll administrativ e policor në veri – argument që ishte bindës për shumë votues, veçanërisht për ata nga diaspora. Pritej që, në këtë proces konsumimi, meqë nuk ka më lojtarin Vuçiq, Kurti ta neutralizonte vetveten. Dhe tani kjo ka çuar në një pikë – Kurti ka humbur edhe 9% shtesë. Më pas, kriza e establishmentit politik ka prodhuar një lloj korrupsioni social-politik”, ka pretenduar Janjiq, përcjell Paparaci.

I pyetur për deklaratën e Kaja Kallas, e cila tha se këto zgjedhje mund të hapin rrugën për përfundimin e bllokadës politike në Kosovë, Janjiqi ka thënë se “ajo klasë, Peter Sorensen, Lajçak, Borell, është një botë që nuk ekziston në realitet”.

“Ajo botë është aq larg realitetit të Kosovës, por edhe realitetit të Ballkanit… mendoj edhe të vendeve të tyre. Sepse është një vakuum burokratik. Kaja Kallas paralajmëron një takim në nivelin më të lartë – por pyetja shumë e thjeshtë, për të cilën nuk merrni kurrë përgjigje, është: me kë do të takoheni? Me Vuçiqin, i cili ndodhet në krizë legjitimiteti dhe izolimi nga i njëjti Komision Evropian, apo me Kurtin, i cili fiton falë dobësive të të gjithë sistemit, por nuk përfaqëson askënd. Pra, procesi i normalizimit nuk do të mund të rinovohet në formatin e vjetër, absolutisht”.

Komunitetit serb i takojnë 10 mandate. Bazuar në rezultatet e këtyre zgjedhjeve, nëntë mandate do t’i fitojë Lista Serbe, ndërsa një mandat partia e Nenad Rashiqit “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”. Zllatan Ellek, kryetar i Listës Serbe, e akuzoi Rashiqin se atë mandat e ka fituar falë votave të shqiptarëve.

Janjiqi e vlerëson këtë si kërkim të pastërtisë etnike.

“Fenomeni Rashiq është shumë i thjeshtë. Partia e tij ka bazën e saj në Anamoravë dhe kjo është një bazë shumë e fortë. Së dyti, nuk mund të kontrollosh kush voton. Të kërkosh shqiptarët që kanë votuar për Rashiqin është njësoj sikur çdo karnaval të përfundojë me djegien e një kukulle. E pra, Rashiqi është ajo kukull që Lista Serbe e bart në këto dy ciklet e fundit, dhe e dini pse? Sepse nuk guxon të përballet drejtpërdrejt me Kurtin. Nuk ishte Rashiqi ai që dorëzoi stacionet dhe hekurudhat, nuk ishte Rashiqi ai që dorëzoi institucionet, nuk ishte Rashiqi ai që u bëri thirrje policëve serbë të largohen nga institucionet. Këtë e di çdo qytetar i Kosovës, si ata që janë larguar, ashtu edhe ata që po përgatiten të largohen, dhe ata që do të qëndrojnë”, ka thënë Janjiqi.

I pyetur nëse këto zgjedhje do ta zgjidhin krizën institucionale apo nëse mund të priten zgjedhje të reja deri në fund të vitit, Janjiqi ka thënë se situata do të jetë shumë e ndërlikuar dhe se në thelb ekzistojnë dy modele.

“Mendoj se Kurti do të bëjë gjithçka që mundet për të shfrytëzuar të drejtën dhe detyrimin që t’i jepet mandati i parë, pra të jetë i pari që përpiqet të formojë qeverinë. Ai nuk mund të bëjë kompromis i vetëm. Nuk e ka atë kapacitet”, ka përfunduar Janjiqi./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci