Të fundit

Cakolli: VV-ja pritet ta marrë ulësen e 53-të, PDK-ja e LDK-ja në garë të ngushtë për një mandat

Lëvizja Vetëvendosje pritet ta sigurojë mandatin e 53-të në Kuvendin e Kosovës kur numërimi po shkon drejt fundit, ndërsa garë e ngushtë për një mandat do të jetë mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka vlerësuar hulumtuesi i koalicionit “Demokracia në Veprim”, Eugen Cakolli.

Sipas Cakollit, me numërimin e dhjetëra kutive të mbetura të votave me postë, është pothuajse e sigurt se do të ketë ndryshim në shpërndarjen e mandateve mes partive politike.

Ai ka thënë se, bazuar në trendet aktuale dhe numërimin e mijëra votave shtesë, Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate, duke shtuar se ky pritet të jetë edhe rezultati përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik.

Megjithatë, sipas tij, mbetet e paqartë se cila parti do ta humbë mandatin që i kalon VV-së. Fillimisht, gjasat janë që LDK-ja të humbë mandatin e 19-të, por deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, ekziston një mundësi pak më e madhe që PDK-ja të mbetet pa mandatin e 22-të e LDK-së t’i kthehet mandati.

Cakolli ka theksuar se gara mes PDK-së dhe LDK-së është jashtëzakonisht e ngushtë, pasi dallimi në koeficientë mund të përkthehet në më pak se 100 vota në fund të procesit.

Ai ka shtuar se mandati i fundit mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht pasqyrojnë më shumë trendin e votimit brenda Kosovës, faktor që potencialisht mund ta favorizojë PDK-në.

Sipas vlerësimit të tij, AAK-ja pritet ta përfundojë procesin me shtatë ulëse në Kuvend.

“Sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate. Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik. Ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat. Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të. Pra, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit. Kjo nënkupton se mandati i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në. Në anën tjetër, AAK pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Cakolli ka bërë të ditur se numërimi i votave me postë pritet të përfundojë më së largu të mërkurën paradite, ndërsa votat me kusht deri në mesnatë. Ai ka shtuar se, varësisht nga numri i vendvotimeve që mund t’i nënshtrohen rinumërimit me vendim të KQZ-së, i gjithë procesi i numërimit pritet të përmbyllet deri në fund të kësaj jave.

Me rezultatet aktuale, LVV-ja ka 52 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 19 e AAK-ja 7.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci