Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për përpjekje të organizuara për të heshtur kritikët dhe për të nënshtruar institucionet e pavarura.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama ka dënuar ashpër deklaratat e zëdhënëses së Qeverisë, Dejana Mihajli, duke i cilësuar ato si ofenduese ndaj qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve strategjikë të vendit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka bërë të ditur se është duke përgatitur padi për shpifje, duke theksuar se nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve apo presioneve.
“Ju rikujtoj se nëse mendoni se me kërcënime e shantazhe keni me m’ndalë, harroni”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka akuzuar gjithashtu pushtetin për një strategji të koordinuar për të diskredituar kundërshtarët politikë, mediat dhe analistët kritikë, duke pretenduar se synimi është që të mbetet vetëm një narrativë e vetme në hapësirën publike.
Sipas tij, historia ka treguar se autokratët fillimisht zhvlerësojnë kundërshtarët, më pas i përndjekin dhe në fund tentojnë t’i burgosin, ndërsa gjyqësori i pavarur mbetet pengesa e fundit ndaj pushtetit absolut.
“Po ecim drejt autokracisë”, ka paralajmëruar Rama, duke bërë thirrje që qytetarët të reagojnë para se, sipas tij, të jetë vonë.
