Në shumë kultura, veçanërisht në Azi, ulja e thellë (squat) është pjesë e jetës së përditshme. Njerëzit hanë, shoqërohen dhe pushojnë në këtë pozicion. Në Perëndim, ky pozicion shpesh zëvendësohet nga qëndrimi ulur në karrige, gjë që sipas ekspertëve mund të nënkuptojë humbjen e përfitimeve të rëndësishme shëndetësore. Disa ekspertë shkojnë aq larg sa e quajnë uljen e thellë “pozë të jetëgjatësisë”.
Sipas Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit, ulja e thellë është një tregues i qartë i shkathtësisë. Ajo konsiderohet shenjë e formës së mirë fizike, pasi kërkon fleksibilitet dhe lëvizshmëri në ije, gjunjë dhe kyçe, si dhe forcë në pjesën e poshtme të shpinës për të mbajtur pozicionin dhe për t’u ngritur.
Belén Fernández, fizioterapiste dhe osteopate në Amuna Vitality Clinic, shpjegon se ky pozicion nxit aktivizimin vagal dhe vazokonstruksionin në këmbë. Kjo ndihmon në drejtimin e gjakut drejt zonës së barkut, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut, funksionin e sistemit limfatik dhe frymëmarrjen.
José Luis Tabueña, drejtues i njësisë së fizioterapisë në SHA Spain, thekson se ulja e thellë – e përkufizuar si pozicion me ijet dhe gjunjët e përkulur dhe shputat e këmbëve të mbështetura në tokë – ka tërhequr vëmendje për lidhjen e saj me lëvizshmërinë funksionale dhe shëndetin muskulor. Sipas tij, për personat pa kushte të rënda muskulore, kjo praktikë është përgjithësisht e sigurt dhe mund të jetë e dobishme.
Përveç përfitimeve fizike, pozicioni mund të ndihmojë në rregullimin e sistemit nervor. Fernández shton se qëndrimi në këtë pozicion mund të lehtësojë frymëmarrjen diafragmatike, e cila lidhet me rritjen e aktivitetit parasimpatik dhe një gjendje më të relaksuar.
Sa i përket praktikës, Tabueña thekson se vazhdimësia është më e rëndësishme se kohëzgjatja. Ai rekomandon fillimin me 30 deri në 60 sekonda në ditë, duke u rritur gradualisht në një total prej dy deri në pesë minuta. Qëllimi është zhvillimi i një pozicioni të qëndrueshëm dhe të relaksuar që ruan lëvizshmërinë dhe kontrollin postural.
Burimi: vogue.com
