Pas disa muajsh bllokadë, njëra korsi e rrugës nacionale Mitrovicë-Prishtinë, te kyçja në Mazgit të Obiliqit, është lëshuar për qarkullim të premten.
Hapja e korsisë së rrugës për qarkullim ka ndodhur pas ndërhyrjes së Ministrisë së Infrastrukturës, njoftoi të premten Ministria.
“Siç edhe ishte planifikuar, punimet e asfaltimit në kyçjen e Mazgitit kanë përfunduar dhe segmenti tashmë është hapur për qarkullimin e automjeteve”, tha Ministria e Infrastrukturës në njoftim.
“Ndërhyrja është realizuar si masë e përkohshme për të përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe për të rritur sigurinë në këtë segment, deri në përfundimin e analizave teknike që do të përcaktojnë zgjidhjen afatgjatë për problemin e ujërave nëntokësore, të cilat po dëmtojnë trupin e rrugës”, tha Ministria.
“Gjatë ditëve në vijim do të përfundojë edhe vendosja e sinjalizimit horizontal, me ç’rast do të kompletohen të gjitha punimet e planifikuara në këtë fazë”.
