Powerscourt Hotel Resort and Spa në Co Wicklow ka anuluar rezervimet për një konferencë të grupit “Dialog”, e cila ishte planifikuar të mbahej në muajin gusht. Grupi në fjalë është bashkëthemeluar 20 vjet më parë nga miliarderi amerikan i teknologjisë, Peter Thiel, dhe sipërmarrësi Auren Hoffman.
Sipas një orari të publikuar, ngjarja me dyer të mbyllura parashihte diskutime mbi tema si përgatitjet për një luftë të tretë botërore, teknologjitë e fushëbetejës, energjia bërthamore dhe ndërtimi i kulteve. Në mesin e të ftuarve ishin paraparë të ishin një komandant i lartë i NATO-s dhe zyrtarë të administratës Trump.
Një zëdhënës i hotelit konfirmoi se ngjarja nuk do të zhvillohet në ambientet e tyre, duke mos dhënë komente të tjera. MHL Hotel Collection, që operon hotelin, dhe Powerscourt Estate shprehën lehtësim për anulimin, duke falënderuar stafin dhe ekipin ligjor për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.
Anulimi erdhi pas kritikave nga partitë opozitare dhe fushatave të grupeve pro-Palestinë. Këta të fundit kundërshtuan konferencën për shkak të lidhjeve të kompanisë Palantir, të bashkëthemeluar nga Thiel, me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në Gaza.
Zoe Lawlor, kryetare e Ireland Palestine Solidarity Campaign, e mirëpriti vendimin, duke deklaruar se një konferencë e tillë nuk duhet të mbahet në Irlandë.
Aktivistët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të monitorojnë situatën në rast se organizatorët tentojnë ta zhvendosin ngjarjen në një vend tjetër në Irlandë. Fushata “Drop Dialogue” u ka bërë thirrje hoteleve të tjera në vend që të mos pranojnë organizimin e kësaj konference.
Burimi: irishtimes.com
