Të fundit

REL: Miliona nga Serbia për të akuzuarin për sulmin në Banjskë

Radio Evropa e Lirë ka zbuluar se kompania ndërtimore “Rad 028”, në pronësi të Radulle Steviqit, vazhdon të fitojë kontrata milionëshe nga institucionet e Serbisë, megjithëse pronari i saj ndodhet nën sanksione amerikane, akuzohet nga autoritetet e Kosovës për pastrim parash dhe përfshirje në rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, si dhe kërkohet me fletarrestim ndërkombëtar.

Sipas hulumtimit, kompania nuk gjendet në adresën ku figuron e regjistruar në Zveçan, ndërsa gjatë vizitave në disa lokacione ku duhej të realizonte projekte, nuk u konstatuan punime aktive dhe as dëshmi të qarta për zbatimin e kontratave. Megjithatë, vetëm gjatë viteve 2025 dhe 2026, “Rad 028” ka siguruar dhjetëra kontrata me vlerë prej miliona eurosh për rinovimin e shkollave, spitaleve, objekteve fetare, ndërtimin e shtëpive dhe projekte të tjera në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se një numër i madh i këtyre kontratave ende nuk janë përfunduar, ndërsa Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikojë në terren nëse projektet e raportuara si të realizuara janë përfunduar realisht. Pasqyrat financiare tregojnë se kompania ka vetëm nëntë të punësuar, por ka realizuar mbi 8.7 milionë euro të ardhura gjatë vitit 2025.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Steviq dhe kompanitë e tij dyshohet se kanë ndihmuar Millan Radoiçiqin në pastrimin e parave të përfituara nga aktivitetet kriminale. Dokumentacioni i tenderëve tregon gjithashtu bashkëpunim të kompanisë me subjekte të përmendura në këtë aktakuzë.

Institucionet serbe, kompania “Rad 028”, organet komunale që kanë lidhur kontratat, si dhe institucionet fetare të përfshira në disa projekte, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë. Ndërkohë, njohës të zhvillimeve vlerësojnë se mungesa e transparencës në shpërndarjen e fondeve dhe mbikëqyrjen e projekteve ngre dyshime serioze mbi mënyrën e shpenzimit të miliona eurove të dedikuara për komunitetin serb në Kosovë./REL

 

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci