Një nënë, e cila publikoi fotografi që dëshmojnë kushtet e papërshtatshme në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka reaguar sërish duke thënë se pas publikimit të statusit është përballur me presion.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, ajo pretendon se mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:30, është vizituar në dhomën ku po qëndron me djalin e saj dhe i është kërkuar të verifikojë pretendimet e bëra në statusin e publikuar.
Sipas saj, edhe gjatë ditës së sotme, rreth orës 10:30, është vizituar sërish nga stafi, ku, siç thotë, i është komunikuar se pretendimet e saj janë të pasakta dhe i është kërkuar të hartojë një raport për rastin deri në orën 11:00.
Ajo thekson se nuk ka refuzuar dhe nuk refuzon ta adresojë ankesën përmes rrugëve institucionale, por shton se prioritet i saj mbetet trajtimi i djalit, i cili ende është i shtrirë në spital. “Fotografitë janë publike.
Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital”, ka shkruar ajo. Në fund të reagimit, nëna shprehet se nuk beson se duhet të ndihet nën presion brenda dhomës së spitalit vetëm pse ka ushtruar të drejtën për të folur publikisht për kushtet që, sipas saj, ka parë dhe përjetuar.
Ajo e cilëson situatën si një problem që prek gjithë shoqërinë, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj sistemit publik shëndetësor. Sipas saj, shëndetësia publike duhet të mbështetet, por njëkohësisht qytetarët duhet të kërkojnë përmirësimin e kushteve dhe përgjegjësi nga institucionet.
