Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth në Kosovë.
Sipas IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja, shkruan Klankosova.tv.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 19 raste, pasuar nga Ferizaj me 12, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste. Lipjani ka regjistruar 3 raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga 2 raste. Me nga një rast janë raportuar Gjilani, Drenasi, Deçani, Skenderaj, Shtërpca dhe Vitia.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thotë IKShPK në Facebook
