Kryetari i Komunës së Obiliqit, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale lidhur me hetimet për shpronësimet në fshatin Shipitullë.
Thaçi fillimisht deklaroi se ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Si dëshmitar, ata natyrisht që më pyetën për çdo gjë. Dhe për çkado që di do t’i përgjigjem prokurorisë”, tha ai.
Megjithatë, Prokuroria Speciale konfirmoi se Halil Thaçi është intervistuar në cilësinë e të pandehurit.
“Mund të konfirmojmë se H.Th. është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrim ndikimi’”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë, po gjatë ditës, zyrtari i Policisë së Kosovës, Halit Pllana, i cili figuron në mesin e 185 zyrtarëve policorë të dyshuar se janë vetëdeklaruar në mënyrë të kundërligjshme si invalidë të luftës, publikoi në Facebook një fotografi me Halil Thaçin.
Fotografia u shoqërua me një mesazh mbështetës për kryetarin e Obiliqit, ku Pllana shkroi:
“Shqiptullë e Hade janë banorë t’Obiliqit, e ky jarani e ka bo kontratën me Obiliq edhe për Obiliq, askënd tjetër, kështu që veç puna e marë!”
Në komentet e postimit ai shtoi edhe:
“Ata t’mahershmit hala janë tu qit kapak shkelma se kurgjo, mirë fort jem.”
Pllana vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale, ndonëse emri i tij është përmendur në mesin e zyrtarëve policorë që po hetohen për dyshimet lidhur me vetëdeklarimin si invalidë të luftës.

