Kryetari i LDK-së mund të shkarkohet. Besimi brendapartiak ndaj tij do të testohet në një Kuvend të jashtëzakonshëm të partisë më të vjetër në vend, pasi dje u dorëzuan nënshkrimet e 1/3 të delegatëve që kërkojnë largimin e tij. Lumir Abdixhiku thotë se ky proces mund ta dëmtojë partinë “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, ndërsa iu desh t’i pezullonte bisedimet me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti për formimin e institucioneve.
Të mërkurën nisi zyrtarisht nisma e brendshme për shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, dhe kryetari i degës së dytë të kësaj partie në Prishtinë, Florian Dushi i dorëzuan dje pasdite nënshkrimet e grumbulluara për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Në mbrëmje, Abdixhiku njoftoi vetë përmes një video-mesazhi në Facebook se “janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve” dhe se nisma bën thirrje për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë dhe për shkakrimin e tij nga pozita e kryetarit.
Zemaj, ndërkaq, i tha Gazetës Express se janë “151 nënshkrime”, dhe jo 148 sa tha Abdixhiku. Sekretariati i partisë thuhet ta ketë bërë verifikimin e nënshkrimeve të 1/3 të delegatëve, aq sa kërkohet me statutin e partisë për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Në atë “mesazh për anëtarësinë, votuesit tanë dhe popullin e Kosovës”, siç e përshkroi Abdixhiku adresimin e tij në Facebook mbrëmë, tha: “LDK ka qenë dhe duhet të mbetet shtëpi e demokracisë. Prandaj nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik, nuk do t’i iki asnjë vote dhe nuk do ta ndaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”.
Ai njoftoi edhe për pezullimin e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja, me këtë rast.
“Në këtë pikë, më duhet po ashtu t’i njoftoj qytetarët e vendit tim se për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës që i prisni me të drejtë tash e sa kohë”, tha ai.
Në këto rrethana, Abdixhiku tha se “s’do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme” që të vazhdonte të negocionte në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati i tij për të udhëhequr me partinë “është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë”.
Ai tha se nuk dëshiron të besojë se bisedimet me LVV-në ishin arsyeja e “ngutisë për Kuvend të paprecedent”.
“Fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës do të pësojnë më së shumti në këtë drejtim. LDK, bashkë me ta”, tha Abdixhiku, duke shtuar se nisma për shkarkimin e tij “vjen në një moment shumë kritik” për këtë parti dhe për vendin.
Abdixhiku tha se nuk ka frikë “nga vota e vendimi i delegatëve”, por se do të preferonte “më shumë qetësi e më shumë mundësi për punë”.
Ky proces i brendshëm, ai tha se mund ta dëmtojë LDK-në “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”.
Ai foli për “apetite” të kundërshtarëve të tij brenda partisë për “ta marrë karrigen e kryetarit”.
“Nuk e kuptoj ngutinë, as kohën, edhe më pak zgjedhjen për të rrezikuar LDK-në”, tha ai, duke përmendur edhe “nxitjet e jashtme” që projektojnë “përçarje maksimale”.
Kreu i LDK-së tha se megjithatë ka besim te shumica që tha se “nuk nënshtrohet ndaj presionit, zhurmës apo interesave të çastit”.
Avdullah Hoti, njëri prej më të pakënaqurve dhe më kritikëve ndaj udhëheqësisë së partisë, shkroi në Facebook pas dorëzimit të nënshkrimit të delegatëve: “Forca e LDK-së është vullneti i anëtarësisë, jo ambicia e individëve. Askush nuk është mbi LDK-në dhe anëtarësinë e saj”.
Reagoi edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se pas tri proceseve zgjedhore “mesazhi i elektoratit është i qartë: LDK ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe vizion për rikthimin e si forcë udhëheqëse në Kosovë”.
“Kjo nuk është betejë kundër një individi, por kërkesë për një standard më të lartë politik, për llogaridhënie dhe për një LDK më të fortë”, ka shkruar në reagim Gashi. “Kuvendi është vendi ku vendos demokracia. Aty duhet të përcaktohet drejtimi i LDK-së, me guxim, përgjegjësi dhe vizion. Për një LDK që bashkon, udhëheq dhe fiton përsëri”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Para dy javësh, kur disa degë të partisë ia kërkuan dorëheqjen, Abdixhiku tha se ato kërkesa ishin “të koordinuara”.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, kishte shkruar ai në një postim në Facebook.
Degët që ia kishin kërkuar dorëheqjen, Abdixhiku ka thënë se kishin performuar dobët në zgjedhje, dhe se për këtë arsye, do t’i priste “dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë” dhe do t’i pranonte “menjëherë”.
Abdixhikut i dhanë mbështetje disa kryetarë degësh dhe sekretari i përgjithshëm i partisë, Ilir Ferati.
Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kixa Xhelili kishte bërë thirrje për “unitet të sinqertë dhe të përgjegjshëm”, ashtu si nënkryetari tjetër, Anton Quni, që kërkonte “pajtim” dhe “urtësi”.
A u morën vesh Abdixhiku me Kurtin?
Pasi në selinë e LDK-së shkoi zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e kryetarit, u raportua se ka një “pajtim në parim” që kjo parti parti të hyjë në bashkëqeverisje me LVV-në e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Koha.net shkroi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti të premten ishin marrë vesh parimisht që LDK-ja të merrte pozitën e e kryeparlamentarit, atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe tri ministri, ndërsa LVV-ja ta propozonte emrin e kandidatit për President.
Por sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, i tha Gazetës Express mbrëmë se nuk e ka “asnjë informacion nga kryetari Abdixhiku lidhur me raportimet në media”, anipse, siç tha, gjithë ditën kishin qenë në selinë e partisë bashkë me bashkëpunetorë të tjerë.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri tha se “koalicionet as nuk bëhen as nuk inicohen nga titujt mediatik, pavarësisht nga cila media janë, e afërt me pushtetin ose jo”.
“Ftoj votuesit të konsiderojnë vetëm qëndrimin zyrtar të deputetëve të Lidhja Demokratike e Kosovës dhe organeve të partisë”, shkroi ajo mbrëmë në një postim në Facebook.
Mimoza Kusari Lila, kryetarja e Alternativës, partisë e cila bashkëqeveris me LVV-në, tha mbrëmë se ky zhvillim në LDK e “komplikon situatën në diskutim”, pasi tha se “përfaqësues të LDK-së që kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut kanë qenë ata që kanë kundërshtuar bashkëpunimin me LVV-në”.
“Këto dyja po shihen si të ndërlidhura përkundër që argumentimi është rezultati i zgjedhjeve. Shihet qartë se përpjekja është për të mos u lënë për tu arritur një finalizim i një marrëveshje të përbashkët mes dy subjekteve”, tha ajo në emisionin “Konfront” në KTV.
Kurti ka folur për “ndërmarrje të madhe e të gjerë” me LDK-në dhe takime të tjera në vazhdim pas takimit të parë të premten me Abdixhikun dhe ish-presidenten Vjosa Osmani.
PDK-ja e vendosi veten në opozitë pas takimit të kryetarit Bedri Hamza me kryeministri në detyrë, ndërsa Aleanca refuzoi të takohet dhe ofron mbështetjen për një qeveri pa të, nëse Kurti ua plotëson gjashtë kërkesa.
LDK-ja numëron rreth 135 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare më 7 qershor. Ajo mori 16.69% të votave dhe u radhit e treta, për herë të katërt radhazi.
Sipas statutit të LDK-së, Kuvendi i Jashtëzakonshëm duhet të mbahet 60 ditë nga dita e dorëzimit të nënshkrimeve.
Kuvendi i LDK-së i ka 354 delegatë, plus kryetarin.
