As në ndonjë univers paralel nuk do t’i kishte shkuar ndokujt mendja se 26 vjet pas luftës dhe pas ndihmës së madhe amerikane, Kosova do t’i kishte prishur punët me aleaten e saj më të madhe, Amerikën. Krejt këto ndodhën nga udhëheqja e prirë nga Albin Kurti.
Rrallëherë ndodh që ndonjë ambasadë të drejtojë gishtin nga qeveria e vendit mikpritës për të shprehur pakënaqësi, larg qoftë për të shkëputur marrëdhëniet apo bashkëpunimin për çështje të caktuar. Krejt këto ndodhën në një periudhë kohore prej më pak se një vit. Gjithçka nisi me ndërprerjen e Dialogut Strategjik e u vulos fort me kërkesën që Kosova të pranonte projektin amerikan të gazit. Këtë të dytën nuk ia ndërpreu SHBA-ja, por vazhdon ta refuzojë vetë.
Më 12 shtator të vitit 2025, Ambasada amerikane pas 26 vjetësh pune në rimëkëmbjen e shtetit të Kosovës, kishte njoftuar për pezullimin për kohë të pacaktuar të Dialogut Strategjik me Kosovën, por një vit pas, pra më 17 korrik, SHBA-ja e hapi Dialogun Strategjik me Serbinë dhe paralajmëroi Kosovën se tani duhet plotësuar disa kushte për nisjen e tyre.
Ambasada gishtin e kishte drejtuar kah qeveria në detyrë e Albin Kurtit ndaj të cilës kishte shprehur shqetësimet për veprime që kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri i Përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve. Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës. Shpresojmë të ndjekim përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. Ne e dimë se ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës” thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Kosovë”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Ambasada.
Kurti tentoi t’i ikte përgjegjësisë për ndërprerjen e këtij Dialogu, duke u arsyetuar se kjo po bëhej për shkak të disa dallimeve në diplomaci, sipas tij, për shkak të qëndrimeve të Kosovës ndaj Serbisë.
“Disa politikanë dhe diplomatë në ShBA vlerësojnë se ne nuk po u ndihmojmë ShBA-ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse, por sinqerisht kjo s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin. Ashtu është. Pra unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Kurti.
Mirëpo SHBA-ja e kishte seriozisht, aq sa e përgënjeshtroi menjëherë Kurtin.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgënjeshtruar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, lidhur me arsyet e ndëprerjes së dialogut strategjik me Kosovën.
“Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të ikur (shmangur) nga çështjet thelbësore të përfshira”, thuhet në një përgjigje të DASH-it më 29 shtator të vitit 2025.
Tutje shtohet se këto shqetësime i janë kumtuar vetë kryeministrit në detyrë Albin Kurtit.
“Ne ia kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit dhe e kemi bërë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara plotësisht të qartë. Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri”, thuhet tutje në përgjigjen e DASH-it.
Vogel: Ndërprerja e dialogut strategjik, shenjë se SHBA-ja do të distancohet nga Kurti
Toby Vogel nga Këshilli për Politika të Demokratizimit në Berlin, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se me mënyrën se si e ndërprenë dialogun për çështje strategjike, Shtetet e Bashkuara dërgojnë sinjal se “duan të krijojnë një distancë me Kurtin”.
Ai shton se vendimi erdhi gjithashtu në një moment të ndjeshëm, kur Albin Kurti po përpiqet të formojë një qeveri të re të Kosovës, dhe se kjo nuk është rastësi.
“Shtetet e Bashkuara, e sidomos administrata e parë e [presidentit Donald] Trump, kanë një histori me Albin Kurtin dhe një histori të përfshirjes në politikën kosovare. Dikur mjaftonte që presidenti amerikan ose kancelarja gjermane, kur ajo ishte Angela Merkel, të ngrinin receptorin, të telefononin dikë si Hashim Thaçi dhe t’i thoshin çfarë të bënte — dhe ai e bënte. Kjo nuk funksionon me Albin Kurtin. Nëse mendoni se kjo është mirë apo keq, është e parëndësishme; fakti është se Kurti nuk është i tillë. Dhe, pikërisht për këtë arsye nuk e duan as në Uashington e as në Bruksel”, thekson Vogel.
Sipas tij, për përkeqësimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në ose BE-në, përgjegjës është vetë Kurti, sepse “nuk i ka kultivuar me kujdes këto marrëdhënie”.
Por, njëkohësisht, kjo ndodh edhe për shkak të pakënaqësisë së qendrave të vendimmarrjes, pasi “nuk mund ta urdhërojnë më kryeministrin ose presidentin në Prishtinë se çfarë të bëjnë”.
“Besoj se gjithçka duhet parë në këtë kontekst, a do të ketë kjo efektin e dëshiruar, pra a do të arrijë të bashkojë opozitën për të krijuar një qeveri alternative. Sinqerisht, mendoj se ata nuk i kanë numrat. Kështu që nuk jam i sigurt se çfarë synohet me këtë”, thotë Vogel, duke shprehur dyshime se Uashingtoni shpreson për zgjedhje të parakohshme.
“Sinqerisht, kjo do të më dukej si një nga zgjidhjet më ‘të pastra’, sepse është e qartë se kushdo që arrin të formojë qeverinë tani nuk do të ketë një mandat të fortë. Është mirë të jesh partia më e madhe, por kjo nuk mjafton. Nevojiten aleatë, nevojiten partnerë koalicioni. Prandaj, mendoj se gjithçka duhet parë në këtë kuadër”, përfundon ai.
Visoka: Ndërprerjen e dialogut strategjik duhet ta marrim seriozisht
Gëzim Visoka, profesor i studimeve për paqe dhe konflikte në Fakultetin Juridik të Universitetit të Dublinit, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se ndërprerja e dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën është “edhe një shenjë paralajmëruese për Qeverinë e Kosovës se mbështetja ndërkombëtare për vendin po zbehet”.
“Kjo duhet të merret seriozisht, por nuk nënkupton fundin e marrëdhënieve bilaterale. Po ashtu, është me rëndësi thelbësore të theksohet se Kosova asnjëherë nuk ka pasur një dialog strategjik të formalizuar me Shtetet e Bashkuara, ndonëse e ka kërkuar këtë për vite me radhë. Edhe kur marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, SHBA-ja ka shmangur formalizimin e një partneriteti strategjik me Kosovën, duke synuar të mos antagonizojë Serbinë dhe të mbajë një ekuilibër në rajon”, thekson Visoka.
Ai shton se në të kaluarën ka pasur elementë të dialogut strategjik rreth sigurisë dhe njohjeve ndërkombëtare, por se “dinamika e dialogut nën drejtimin e BE-së dhe përpjekjet e Kosovës për të shtrirë sovranitetin në veri të vendit e kanë diktuar këtë proces, i cili tani duket se funksionon vetëm në fushën e sigurisë”.
Por çka është dialogu strategjik?
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.
