Gazetari Enrik Mehmeti ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të regjistruar në zonën e Zvërnecit.
Sipas informacioneve paraprake, gazetari ishte duke udhëtuar me automjet kur, për shkaqe ende të paqarta, ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përmbysur.
Si pasojë e aksidentit, 40-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Mediat shqiptare raportuan se gazetari kishte pësuar dëmtime të rënda në kraharor dhe në organe jetësore.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.
