Irani ka hedhur poshtë akuzat e Francës për keqtrajtimin e dy diplomatëve francezë të ndaluar në Teheran, duke deklaruar se ata u morën në pyetje vetëm për një periudhë të shkurtër dhe më pas iu dorëzuan ambasadës.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve Tasnim, zyrtari i Ministrisë së Jashtme iraniane, Mohammad Tanhaei, tha se gjatë kontrollit u gjetën dokumente që, sipas autoriteteve iraniane, lidhen me aktivitete kundër sigurisë kombëtare dhe po hetohen.
Më herët, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, gjatë një bisede telefonike me homologun francez Jean-Noel Barrot, i cilësoi veprimet e diplomatëve francezë në Teheran si “jokonvencionale dhe joprofesionale”.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Francës bëri të ditur se kishte thirrur të ngarkuarin me punë të Iranit për të kërkuar sqarime mbi incidentin. Ministri Jean-Noel Barrot deklaroi se dy diplomatët u ndaluan për disa orë pa asnjë arsye dhe se njëri prej tyre ishte keqtrajtuar fizikisht.
Teherani i mohoi këto akuza, duke i cilësuar si “pretendime të rreme”. Sipas Tanhaeit, sapo autoritetet kuptuan se personat e ndaluar ishin pjesë e Ambasadës Franceze në Teheran, ata u transferuan në policinë diplomatike dhe më pas iu dorëzuan ambasadës në koordinim me Ministrinë e Jashtme iraniane.
