Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka ndaluar për 48 orë tre persona, pas disa muajsh hetimesh dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Sipas Prokurorisë, dy nga personat e ndaluar janë zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njëri në Divizionin për të Huaj dhe tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
Të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J. dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa D.K. dyshohet për “Falsifikim të dokumenteve”.
Sipas hetimeve të deritanishme, F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e zyrtarëve, dyshohet se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacion përkatës dhe, sipas dyshimeve, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore.
Ndërkaq, D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’u mundësonte personave të tjerë të aplikonin dhe të pajiseshin në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Kosovë.
Në komunikatë thuhet se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për paraqitjen e kërkesës për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
