Avokatja e Diamant Gashit, Fehmije Gashi-Bytyqi, deklaroi se vrasja e zyrtarit policor Muhamet Lika ishte një atentat i planifikuar, ndërsa theksoi se klienti i saj nuk e pranon akuzën për dhënie ndihme.
“Ndaj Muhamet Likës është bërë një atentat tipik i përgatitur në mënyrë perfekte, për ta pritur pasojën, e që nënkupton vdekjen e tij. Unë nuk jam mbrojtëse e gjithë këtyre djemve, unë jam e Diamantit, klienti im akuzohet për dhënie ndihmë. Disa herë i kam shkuar në vizitë dhe i kam thënë: Diamant nëse ti e ke strehuar Rejhanin, se na ndodh ne kosovarët i strehojmë njerëzit, familjarët, komshinjtë, tregom ti mua…, për të cilin i kam fjalët shumë të mira, ka qenë shumë bashkëpunues, e kemi pasur mundësinë çdo gjë që dimë t’i ofrojmë informata atij, klienti im më është përgjigjur ka thënë: Avokate nuk mund të pranoj diçka që nuk e kam bërë”, tha ajo.
Avokatja shprehu shqetësim edhe për gjendjen e sigurisë në vend, duke thënë se zbardhja e plotë e rastit është në interes të të gjithë sistemit të drejtësisë.
“Sa ju dëshironi t’i dini rrethanat kush e ka vrarë, po aq më intereson edhe mua, mua më intereson sepse jam pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës edhe dëshiroj që ky shtet të jetë i sigurt, e mos ta ndiejmë ne rrezikun ër shkak se është vrarë një person i policisë, nesër vritet larg qoftë një prokuror, një gjykatës, një avokat, domethënë kjo është ajo brenga që na përfshin të gjithëve”, theksoi ajo.
Në fund, Gashi-Bytyqi theksoi se personi përgjegjës për vrasjen duhet të përballet me drejtësinë.
“Ai që është fajtor le ta marrë dënimin e merituar, ne jemi për një Kosovë të denjë”, përfundoi ajo.
