Eugen Cakolli nga IKD-ja, ka reaguar lidhur me skandalin me profile të rreme në rrjetet sociale, duke kërkuar që rasti i njohur si “Lule Gjeli” të hetohet deri në fund për të zbuluar identitetin, motivet dhe lidhjet e mundshme politike që, sipas tij, mund të qëndrojnë prapa këtij aktiviteti.
Sipas Cakollit, gjatë viteve të fundit, pothuajse çdo person që ka kritikuar publikisht vendimet ose qëndrimet e pushtetit është përballur me sulme nga profile të rreme me emra si “Lule Gjeli”, “Jona”, “Naimi”, “Dardani”, “Xhaviti” dhe të tjerë.
Ai pretendon se këto profile kanë përdorur të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat etiketime për të diskredituar kritikët, duke i cilësuar ata si “të paguar”, “pro-serbë”, “të shitur”, “me partitë e vjetra” ose “kundër shtetit”.
“Vështirë është me besu që një sistem i tillë sulmesh online, me dhjetëra profile të rreme që vazhdimisht i zgjedhin të njëjtit njerëz, e përdorin të njëjtin fjalor dhe i mbrojnë të njëjtat interesa politike, s’ka sfond politik,” ka shkruar Cakolli.
Ai shton se dyshimet shtohen edhe më shumë kur, sipas tij, disa përpjekje për diskreditim dhe linçim publik janë nisur ose janë përforcuar nga figura të partisë në pushtet.
Në fund, Cakolli kërkon hetim të plotë të rastit, duke thënë se duhet të verifikohen identiteti, motivet, lidhjet dhe financimi eventual i profileve të tilla, si dhe nëse pas tyre ka funksionuar një skemë më e gjerë.
“Rasti i ‘Lule Gjelit’ duhet me u hetu deri në fund… Tolerimi i kësaj situate tash e sa vite veçse ka prodhu pasoja serioze, duke e helmu debatin publik dhe duke e thellu polarizimin shoqëror,” ka deklaruar ai.
