Federico Chiesa ka deklaruar se dëshiron të hapë një “kapitull të ri” te Liverpool nën drejtimin e trajnerit Andoni Iraola. Sulmuesi 28-vjeçar, i cili shënoi në fitoren miqësore 4-2 kundër Sunderland në Nashville, kërkon të ndryshojë fatin e tij pas dy sezoneve të vështira nën drejtimin e Arne Slot.
Ai e nisi vetëm një ndeshje në Premier League, ndërsa paraqitja e tij e fundit si titullar daton më 14 shkurt, në fitoren e raundit të katërt të FA Cup kundër Brighton. Lojtari pranoi se vendimet për formacionin i takonin trajnerit Slot, duke shtuar se tani fokusi i tij është te menaxheri i ri.
Pavarësisht zërave që e lidhin me një rikthim në Itali te klubet si Como apo Juventus, sulmuesi theksoi se prioriteti i tij është të dëshmojë vlerat e tij te Liverpool, ku ka edhe dy vite të mbetura në kontratë.
Lidhur me sezonin e kaluar, Chiesa vlerësoi se kualifikimi në Champions League në ditën e fundit ishte një arritje e shoqëruar me fat, duke shtuar se Liverpool meriton më shumë. Ai shprehu ambicien për të bërë paraqitje më të mira në Premier League dhe në Champions League, ku skuadra u eliminua nga PSG në sezonin e fundit.
Përveç angazhimit te klubi, Chiesa synon të rikthehet në ekipin kombëtar të Italisë. Ai ka munguar në disa grumbullime të fundit për shkak të dëmtimeve dhe formës fizike, ndërsa kombëtarja po kërkon një trajner të ri pas dështimit për t'u kualifikuar në Kupën e Botës nën drejtimin e Gennaro Gattuso. Sulmuesi shprehu gatishmërinë për të kontribuar sërish për Italinë.
Burimi: theguardian.com
