Transmetuesi britanik ka bërë një analizë me të cilën vjen në përfundim se pas luftës që ka nisur me Iranin, administratës së presidentit amerikan Donald Trump ka nisur t’i shterohet armatimi. Këtë nuk e ka konfirmuar Trumpi, por së fundmi ai ka kërkuar nga prodhuesit amerikanë të armëve që të përvjelin mëngët dhe të përshpejtojnë prodhimin e armatimit.
Kur presidenti amerikan Donald Trump u ngjit në skenë në fillim të muajit korrik në Samitin e Mbrojtjes dhe Inovacionit të mbajtur në Pennsylvania, i rrethuar me kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në SHBA, ai kishte mesazhin në mendje: prodhoni më shumë armë dhe prodhoni më shpejt.
“Kemi kualitetin më të mirë në botë”, u tha Trumpi armëprodhuesve në Kolegjin amerikan të luftës. Përkrah tij ishte dhe “Sekretari i Luftës”, Pete Hegseth. “Ama na duhet t’i prodhojmë me më shumë shpejtësi”.
Samiti ishte përpjekje e administratës së Trumpit që të ringjallë industrinë amerikane dhe kapacitetet e mbrojtjes, siç tha Hegseth: “Armatimin e lirisë”.
Megjithatë nuk u bë fort e madhe shpenzimi i armatimit të sofistikuar dhe vështirësia për ta prodhuar atë. Ky armatim është përdorur në 40 ditë të luftës në Iran gjatë operacionit “Epic Fury”. Deri më tani, qeverisë amerikane lufta në Iran i ka kushtuar 37.5 miliardë dollarë. Kjo shumë është kryesisht për armatim.
Në kohën kur u arrit armëpushimi më 8 prill, forcat amerikane kishin goditur më shumë se 13 mijë caqe në Iran, sipas Shtëpisë së Bardhë. Mbrojtja ajrore e SHBA-së kishte shkatërruar më shumë se 1 mijë e 700 dronë dhe raketa balistike të Iranit.
Tani, SHBA-të kanë ndaluar sulmet ndaj Iranit për të lejuar që negociatat të vazhdojnë. Një raport i New York Times thotë se Trump u këshillua të hiqte dorë nga planet për të përshkallëzuar konfliktin pasi kjo do të shteronte më tej rezervat amerikane.
Të hënën, Trump mohoi se kishte mungesë, duke i thënë Wall Street Journal: “Ne kemi shumë më tepër municione se kushdo në botë, dhe shumë më tepër sesa na duhen.”
Kjo ka qenë temë delikate për njëfarë kohe brenda administratës amerikane. Muajin e kaluar, kur u pyet për këtë temë, Hegseth mohoi se furnizimet po pakësoheshin.
Qëndrimi i tij duket se ka ndryshuar që atëherë. Javën e kaluar, ai i tha Komitetit të Buxhetit të Senatit se Pentagonit i duheshin edhe 87 miliardë dollarë për të adresuar “mungesat kritike”, duke përfshirë pajisjet.
Shpenzimet e sakta të municioneve dhe rezervat e mbetura mbeten të klasifikuara. Por të dhënat e disponueshme publikisht të përpiluara nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me seli në Uashington japin pamje të zymtë të rezervave të varfëruara që, në afat të shkurtër, janë të vështira për t’u zëvendësuar.
“Varet nga municionet – por një deri në pesë vjet [për të bërë një raketë të vetme] është rezultati përfundimtar”, thotë Mark Cancian, kolonel në pension i Korpusit të Marinës dhe këshilltar i lartë në CSIS, i cili ka qenë duke studiuar çështjen. “Dhe nuk ka asgjë që mund të bësh për ta përshpejtuar këtë.”
Por a po i konsumojnë vërtet SHBA-të municionet kaq shpejt sa mund të kenë vështirësi në përmbushjen e detyrave dhe objektivave të tyre ushtarake?
Arsenali i varfëruar i SHBA-së
Municionet kritike të përdorura në luftë përfshijnë dy kategori: sistemet e sulmit tokësor me rreze të gjatë veprimi dhe mbrojtjet ajrore dhe raketore të përdorura për të kapur sulmet hyrëse iraniane.
Midis sistemeve të sulmit tokësor që panë përdorimin më të madh ishte Raketa e Sulmit Tokësor Tomahawk – ose TLAM – që zakonisht qëllohet nga anijet ose nëndetëset në objektiva që mund të jenë mbi 1,600 km larg. Këto armë i lejojnë SHBA-së të kryejë sulme precize kundër objektivave të përforcuara ushtarake, siç janë bunkerët e komandës ose objektet ushtarake të fortifikuara, pa vënë në rrezik avionët me pilot.
Më shumë se 1,000 Tomahawk janë qëlluar gjatë luftës, vlerëson CSIS, dhe stoku mund të mos kthehet në nivelet e para luftës deri në vitin 2031. Sipas CSIS, variantet e fundit të TLAM kushtojnë rreth 2.6 milionë dollarë për raketë.
Nga sistemet e mbrojtjes ajrore të përdorura në luftë, më i përdoruri ishte Patriot, një raketë me bazë tokësore e përdorur për të synuar avionët, si dhe raketat balistike dhe ato të lundrimit. Sipas vlerësimit të CSIS, deri në 1,430 u përdorën gjatë konfliktit nga një stok i vlerësuar para luftës prej rreth 2,330. Çdo interceptor Patriot kushton afërsisht 4 milionë dollarë – një opsion i shtrenjtë, por efektiv i përdorur vazhdimisht për të rrëzuar dronët iranianë që vetë kushtojnë vetëm midis 20,000-50,000 dollarëve secili.
Këto do të jenë të vështira për t’u zëvendësuar. “Duhen disa vjet për të prodhuar një raketë. Nëse investoni para në sistem sot, nuk do të merrni një raketë për tre ose katër vjet. Ndonjëherë edhe pesë,” thotë Cancian. “Ajo që po marrim [tani] janë raketa që u financuan në vitin 2023.”
Gjithashtu u përdor një sistem më i ri dhe më i sofistikuar i njohur si Mbrojtja e Zonës së Lartë Terminale, ose THAAD, i cili ka një rreze më të gjatë veprimi dhe lartësi më të larta interceptimi sesa Patriot-i më i vjetër. Furnizimet ishin tashmë të kufizuara, me CSIS që vlerësonte se midis 190 dhe 290 u qëlluan nga një stok i vlerësuar para luftës prej 360. Me vetëm nëntë bateri THAAD në funksion në botë – dhe shtatë prej tyre amerikane – shpenzimet e vazhdueshme mund t’i linin forcat amerikane pa një sistem që do të ishte kritik për mbrojtjen nga kërcënimet e raketave balistike nga vende të tilla si Rusia, Kina ose Koreja e Veriut.
Të gjithë sytë janë drejtuar nga Tajvani dhe Paqësori
Lufta me Iranin vjen pak para asaj që shpesh quhet “dritarja Davidson”, në të cilën një përpjekje kineze për të pushtuar Tajvanin bëhet, në sytë e disa planifikuesve ushtarakë amerikanë, më e mundshme.
Koncepti i diskutueshëm – i cili është qendror për mendimin ushtarak amerikan në Paqësor – rrjedh nga një seancë dëgjimore kongresive e vitit 2021 në të cilën Admirali Philip Davidson, atëherë përgjegjës për forcat amerikane në rajon, paralajmëroi se një pushtim do të ndodhte “në gjashtë vitet e ardhshme”. Në vitin 2023, drejtori i atëhershëm i CIA-s, William Burns, parashikoi se Kina do të ishte gati të pushtonte deri në vitin 2027.
Kina është zotuar prej kohësh të “ribashkohet” me Tajvanin vetëqeverisës, të cilin e konsideron si një provincë të shkëputur, dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës.
Nëse SHBA-të do ta mbrojnë Tajvanin dhe do të shkojnë në luftë me Kinën apo jo, është temë e debatuar shumë. Pavarësisht paqartësisë, SHBA-të i sigurojnë ishullit armë mbrojtëse.
