Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një reagim ndaj atyre që e kritikuan pas publikimit të shpenzimeve vjetore të presidencës.
Numrat e shpenzimeve që ishin shumë më të ulëta se sa të Presidentëve paraprak. Mirëpo pati kritika që ceknin mungesën e udhëtimeve ndërkombëtare si arsye për mungesë të shpenzimeve.
Osmani i ka quajtur “recidivistë të pushtetit” personat që e kritikuan duke shtuar se e “vetmja gjë që ajo ka izoluar ka qenë dëmi i madh” që sipas saj është shkaktuar nga pushtetet paraprake.
“Përderisa për këdo që pa paragjykime ka përcjellur aktivitetin tim për promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë nuk kam nevojë ta jap këtë spjegim, dua t’i them keqpërdoruesve recidivistë që e vetmja gjë që kam izoluar është dëmi i madh ndaj vendit për të cilin duhet t’u “falënderohemi” pushteteve paraprake”, shkruan ajo.
Ajo tutje thotë se do të ketë transparencë të vazhdueshme në shpenzime zyrtare. Osmani poston edhe një fotografi ku shihet në takime ndërkombëtare e të cilën ajo e përdor si provë ndaj “recidivistëve”.
“Idetë për ndarje e defunksionalizim të Kosovës promovoheshin me para të taksapaguesve, ndërkaq sot në vend se të skuqen për gjithë dëmin e shkaktuar, dalin e ankohen pse Presidentja e sotme nuk po vepron sikur pushtetarët paraprak. Ta keni të qartë, ju nuk jeni standardi me të cilin ne e masim veten. Jeni shembull i modelit që nuk duhet ndjekur”.
“Kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara. E vërteta është se në vitin 2021, ne kemi realizuar më shumë aktivitete ndërkombëtare se sa në periudhat paraprake (pa pandemi), ndërkaq kemi shpenzuar shumëfish më pak. Se sa të “izoluar”, kemi qenë këtë vit, tregon pamja më poshtë:”, përfundon ajo.
