Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka gjobitur një kompani për mirëmbajtjen e rrugëve në rajonin e Ferizajt. Kjo për shkak se disa pjesë të rrugëve magjistrale ishin të pa pastruara nga bora, nga kompania përgjegjëse për pastrimin e rrugëve.
Sipas raportimeve të Insajderit, bëhet fjalë për kompaninë e njohur “Sallahu Sh.P.K”, e cila është nën pronësinë e biznesmenit, Naim Sallahu. Nga kjo kompani nuk janë në dijeni se nëse janë gjobitur apo jo nga policia.
Paparaci ka kontaktuar edhe me drejtorin menaxhues të kompanisë, Lulzim Sallahu, i cili është shprehur se ende nuk kanë informacione se ndërmarrja e tyre është dënuar sot nga policia.
“Ende nuk e dimë. Nuk kemi informacione lidhur me këtë. Ne punën tonë e kemi bërë ashtu siç duhet”, tha ai në një bisedë telefonike për mediumin.
Kjo ndërmarrje e njohur në rajonin e Ferizajt madje kishte fituar tender gjysmë-milionësh nga Ministria e Infrastrukturës.
Më 13 korrik të vitit të kaluar, ministria e Infrastrukturës e cila drejtohet nga Liburn Aliu, ia kishte dhënë kontratën kompanisë nga Kaçaniku, që kap vlerën prej 449 mijë eurove.
Paparaci ka provuar të kontaktojë me Policinë e Ferizajt për të marrë detaje më shumë lidhur me rastin, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm për mediumin.

