Prokuroria Themelore në Pejë përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda të shtunën ka njoftuar se është arrestuar edhe një i dyshuar me inicialet K.M. i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, që ndodhi më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Paparaci merr vesh se i arrestuari për vrasjen në Gllogjan është familjar i dy të dyshuarve të arrestuar më herët për vrasjen e trefishtë.
Të ndaluarit për këtë rast janë familjarë ndërmjet vete (babai dhe dy djemtë). Sipas Prokurorisë ata dyshohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Dyshohet se motivi i sulmit ndaj autobusit në Gllogjan, ku u vranë tre persona, lidhet me vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, H. M., e cila i dha fund jetës së saj në qershor të vitit 2020.
Deri më tani institucionet e hetuesisë nuk kishin dhënë detaje në lidhje me rastin, ndërsa presioni publik ka qenë i lartë për të zbardhur autorët dhe motivet e krimit të rëndë.
Qeveria e Kosovës kishte ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për ata të cilët mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.
Autobusi i nxënësve, derisa ishte në lëvizje, natën e 26 nëntorit, ishte qëlluar me armë automatike ku shoferi dhe dy nxënës ishin vrarë, kurse një nxënës ishte plagosur.
