Arben Gashi ka thënë se prej vitit 2013 nuk ka pranuar asnjë cent për mbulimin e shpenzimeve të derivateve, në një përgjigje ndaj akuzave publike për keqpërdorime të Ilir Kërqelit, shefit të Kabinetit të Kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kërqeli tha sot se një deputet i LDK-së ka përfituar mbulim në vlerë prej rreth 10 mijë eurosh për shpenzime në derivate, në dy vite: 2011-2013. Ai, aludoi në shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së.
Por, Gashi i ka thënë Paparacit të dielën se nuk ka abuzuar asnjëherë me shpenzimet e udhëtimit.
“Nuk e di sa është e saktë. Ka dhjetë vite që unë nuk marrë asgjë për shpenzimet e udhëtimit sepse nga ajo kohë unë banoj në Prishtinë, e jo në Pejë”, tha Gashi.
Duke iu referuar periudhës 2011-2013, mandatit të tij të parë si ligjvënës, Gashi u shpreh se asokohe kishte kërkuar tërheqjen e emrit të tij nga mbulimi i shpenzimit të udhëtimeve.
Por, siç ka deklaruar shefi i GP të LDK-së, Sekretariati i Kuvendi kishte vendosur ndryshe.
“Sekretariati i Kuvendit të Kosovës ka bërë një vlerësim për 15-16 deputëtë, të cilët kishim hequr dorë nga mbulimi i shpenzimeve, dhe më kanë përfshirë edhe mua. Ndërkaq prej mandatit të dytë nuk kam pranuar asnjëherë, asnjë cent”, është shprehur Gashi.
Akuzat e Kërqelit, anëtari i Kryesisë së LDK-së i ka cilësuar “sulm personal politik” ndaj tij.
“Është një sulm personal politik dhe kësisoj, ai po i shkel përgjegjësitë e tij si shef i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Gashi. /Paparaci.com
