Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin që u ftuan nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, për ditën e nesërme si kundërshtim i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Lajmi për Paparacin e kanë konfirmuar zëdhënësit e këtyre dy subjekteve politike.
Lulëzim Blaka i AAK-së tha se njëri nga nënkryetarët e këtij subjekti politik do të jetë i pranishëm në takimin e së premtes.
“Po AAK do të jetë prezent në takimin e nesër. Njëri nga nënkryetarët e partisë do të shkojë në takim”, tha ai për mediumin.
Edhe nga Nisma Socialdemokrate konfirmuan takimin për ditën e nesërme.
“Po, marrim pjesë”, thanë zyrtarët e Nismës për Paparacin.
Nesër, duke filluar nga ora 13:00, është organizuar një takim mobilizues nga PSD-ja, ku të njëjtit kanë ftuar të gjitha partitë parlamentare dhe joparlamentare, OJQ-të dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth ngritjes së çmimit të energjisë.
Takimi do të mbahet në Hotelin Grand, në kryeqytet.
