Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në njoftimin e saj, kjo ministri ka bërë të ditur se janë duke i kushtuar vëmendje maksimale situatës kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se kanë paralajmëruar edhe më herët qytetarët që Rusia, e sinkronizuar me aleatin e saj, Serbinë, vazhdojnë me aktivitetet hibride për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përmendur këtu deklaratën dezinformuese të Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, i cili kishte thënë se në Ukrainë kanë shkuar edhe kosovarë të gatshëm për luftë.
“Kjo dezinformatë e rrezikshme, qëllimi i së cilës lexohet qartë, synon të shkaktojë konfuzion brenda unitetit të deritashëm të vendeve dhe kombeve me orientim euroatlantik, dhe të cenoj kohezionin e përgjithshëm të qytetarisë botërore demokratike që solidarizohen me Ukrainën dhe popullin e saj”, thuhet në njoftimin e ministrisë, transmeton lajmi.net.
Ata i kanë bërë thirrje edhe një herë qytetarëve që të kenë kujdes ndaj lajmeve të rrejshme, trillimeve dhe inskenimeve të mundshme.
Tutje, ministria ka thënë se nuk ka arsye që të organizohen struktura jo-shtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje ndaj Ukrainës, por kanë theksuar se nëse SHBA kërkon angazhimin e FSK-së, ata do të jenë të gatshëm të ofrojnë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale.
“Prandaj, nuk kanë asnjë arsye të organizohen në struktura jo shtetërore për të ofruar një solidaritet dhe mbështetje të tillë, traditë kjo e njohur pikërisht nga vet qarqet ruse dhe serbe për veprime me mekanizma e struktura paramilitare dhe mercenare famëkeqe të njohura tani më për krime monstruoze në Ballkan, viktima të së cilave janë edhe vet populli ynë liridashës e paqedashës. Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme. Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
