Të fundit

Kosova, portë e hapur për diplomacinë ruse

Në 16 vjetët e fundit Rusia ka pasur një prezencë të madhe diplomatike në Kosovë.

Hulumtuesit thonë se nga viti 2005 kur u hap Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, dhjetëra diplomatë rus kanë qenë me mision në Prishtinë.

Lulzim Peci, ish-diplomat kosovar, tani drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë se Zyra Ruse kohëve të fundit ka qenë ndër misionet më të mëdha diplomatike në Kosovë.

“Me sa di unë, në këtë zyre mbi dhjetë diplomatë kanë qenë në kohën e fundit që për numrin e diplomatëve, ndoshta pas SHBA-së, ndoshta ka qenë një mision me më së shumti diplomatë”, thotë Peci.

Kur u hap Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë?

Rusia formalizoi praninë e saj diplomatike në Kosovë në vitin 2005, kur asokohe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, mori pjesë në hapjen solemne të kësaj zyre në Prishtinë.

Asokohe Kosova administrohej nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ishte Soren Jessen-Petersen, i cili së bashku me kryeministrin Bajram Kosumi morën pjesë në ceremoninë e hapjes së zyrës ruse.

Pjesëmarrja e Kosumit në këtë aktivitet, të paktën publikisht, njihet si vizita e vetme e një zyrtari të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Në këto 16 vjet, sa funksionon Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, ka ushtruar aktivitete kryesisht të heshtura.

Edhe pse viteve të fundit, sipas organizatave të shoqërisë civile, ka pasur deri mbi dhjetë diplomatë, veprimtaria e kësaj zyre është shfaqur fare pak në publik

Krejt çfarë gjendet në internet për aktivitetet e saj janë fotografi të takimeve me zyrtarë të misioneve ndërkombëtare si EULEX-i dhe UNMIK-u.

Vëmendja te Zyra Ndërlidhëse Ruse u kthye më 22 tetor kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shpalljen persona “non-grata” të dy diplomatëve rus që punonin për këtë zyre.

Për ta kishte informacione se kanë “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Pas dëbimit të dy diplomatëve rusë nga Kosova, Radio Evropa e Lirë ka shprehur interesim që të flasë me zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Në një komunikim përmes telefonit, Radios Evropa e Lirë i është thënë që pyetjet eventuale të dërgohen përmes postës elektronike dhe është thënë se do të kthehet një përgjigje.

Por, pavarësisht kësaj, kjo zyre nuk është përgjigjur më në asnjë nga kërkesat e REL-it.

Si funksionon Zyra Ruse?

Nga viti 2005 Zyra Ndërlidhëse Ruse funksionon nën ombrellën e një akreditimi pranë misionit të UNMIK-ut që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pjesëtarët e zyrave ndërlidhëse nuk i nënshtrohen asnjë regjimi të vizave dhe kanë të drejtë të hyrjes dhe qëndrimit në Kosovë. Ata pajisen me dokumente speciale nga OKB-ja dhe kanë të drejtë të hyjnë dhe të dalin nga territori i Kosovës sa herë që duan.

Përpos imuniteteve të tjera të përcaktuara me këtë rregullore, stafi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka imunitet të plotë “nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ vendor”.

Përveç stafit që ka imunitet, edhe ambientet e Zyrave Ndërlidhëse janë të paprekshme.

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq dhe deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq ishin të pranishëm gjatë arritjes së një marrëveshjeje të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe delegacionit nga “Shtëpia ruse”.

Sipas rregullores, objekti dhe asetet e Zyrës Ndërlidhëse janë imune ndaj bastisjeve, urdhrave të institucioneve lokale, sekuestrimi dhe çdo formë ndërhyrjeje, qoftë me veprim ekzekutiv, administrativ, gjyqësor apo legjislativ.

Për mënyrën e funksionimit të kësaj zyre, Radio Evropa e Lirë ka provuar që të marrë disa përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur këtë ministri nëse ka pasur ndonjë komunikim me këtë zyre dhe se çfarë aktivitetesh i lejohen në bazë të ligjeve të Kosovës.

Në MPJD nuk i janë përgjigjur interesimit të REL-it duke lënë pa përgjigje shumë pyetje, në mesin e të cilave edhe pyetjet rreth stafit diplomatik, mënyrës se si ata akreditohen për të operuar në Kosovë, si dhe aktivitetet, në të cilat është e përfshirë Zyra Ruse.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci