Aktori dhe regjisori i famshëm amerikan Sean Penn aktualisht ndodhet në Ukrainë, ku planifikon të realizojë një dokumentar për konfliktin atje dhe në një prononcim për “People” ka thënë se shpirti amerikan do të humb nëse ukrainasit lihen vetëm.
Ai gjithë këtë konflikt e quajti një “gabim brutal”.
“Ky tashmë është një gabim brutal i jetëve të marra dhe zemrave të thyera, dhe nëse Putin nuk heqë dorë, besoj se do të bëjë gabimin më të tmerrshëm për mbarë njerëzimin”, ka thënë Penn, transmeton Paparaci.

Ai më tej ka thënë se presidenti Zelenskyy dhe populli ukrainas janë ngritur si simbole historike të guximit dhe parimeve, dhe e quajti Ukrainën “shtizë e demokracisë”.
“Nëse lejojmë Ukrainën të luftojë e vetme, shpirti i Amerikës humbet”, ka thënë aktori i njohur.
Siç raportuan mediat ukrainase ditë më parë, Penn ka shkuar në këtë vend për t’i treguar botës të vërtetën për pushtimin rus.
“Sean Penn është mes atyre që sot mbështesin Ukrainën në Ukrainë. Vendi ynë i është mirënjohës atij për një shprehje të tillë guximi dhe ndershmërie”, shkruan në deklaratë./Paparaci
