Ambasadori i Serbisë në Ukrainë, Aça Jovanoviç tha sot se Ambasada i ka dërguar një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës me kërkesë që të lejohen kamionët serbë, të cilët janë bllokuar në kufirin mes Ukrainës dhe Rumanisë, të kalojnë pikën kufitare.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i bëri dje thirrje ambasadorit Oleksandr Alexandroviç dhe i kërkoi atij që të merrte të gjitha masat përmes kanaleve të tij në mënyrë që këta shoferë të largoheshin nga Ukraina”, tha ambasadori serb Jovanoviç.
Dy ditë më parë, mediat serbe raportuan për pesëdhjetë shtetas të Serbisë të cilët janë bllokuar prej ditësh në pikën kufitare Dakova ndërmjet Ukrainës dhe Rumanisë.
Pas kthimit nga Rusia, kamionët e tyre u ndaluan nga policët kufitarë të cilët nuk i lejuan të vazhdonin rrugën.
Nuk ka asnjë informacion zyrtar pse ata janë ndaluar, raportoi mediumi Nova.rs.
Regjimi i Vuçiqit, deri sot nuk kishte reaguar për evakuimin e qytetarëve serbë.
