Astrit Haraqija ka vizituar Majorkën, qytetin e Komunës së Palmës në Spanjë, në një kohë kur emri i qytetit ka tërhequr vëmendje të madhe.
Emri i qytetit të njohur për turizëm e vend-qëndrim të të famshmëve në Spanjë, përgjatë mesit të muajit shkurt të këtij viti është përfolur, jo aq për turizëm si rëndom, aq sa për të bëmat e një shqiptari të Kosovës: Bashkim Osmanit.
Bashkim Osmani, është një mik i Astrit Haraqijës, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Ai është prangosur më 15 shkurt të këtij viti në Poreç të Kroacisë nën dyshimet për udhëheqjen e një rrjeti të trafikimit me kokainë.
Autoritetet spanjolle dyshojnë se baza e rrjetit të drogës që dyshohej se e udhëhiqte Bashkim Osmani, ishte Majorka, tash e një kohë rezidenca e biznesmenit kontraverz. Javën e kaluar, biznesmeni shqiptar u ekstradua nga Kroacia në Spanjë, ku pritet të gjykohet mbi dyshimet për përfshirje në trafikimin e kokainës.
Në Majorka të Palmës, Bashkim Osmani drejton një nga hotelet më të njohura të zonës. “BO Hotel” është biznesi i hotelierisë të cilin Osmani e ka në pronësi.
Gjatë javës që shkoi, në këtë hotel tha se qëndroi një ish-ministër i Qeverisë së Kosovës. Astrit Haraqija, mik i familjes Osmani, të dielën e kaluar përmes rrjetit social Facebook njoftoi të jetë akomoduar në hotelin e Bashkim Osmanit.
“Mirë koka edhe ketu. BO Hotel. Majorka”, përshkroi ish-ministri i Kulturës, tri fotografi të tij në të cilat shfaqej në ishullin e Majorkës, në Palma.

Haraqija, në një bisedë me Paparacin të martën, tha se nuk ka arritur ta takojë mikun e tij të familjes, nga i cili ishte këshilluar në kohën kur udhëhiqte me Ministrinë e Kulturës në Kosovë.
“Nuk jam taku se ka procedura, por ju keni publiku videon e transferimit, u trash pak”, deklaroi ai për Paparacin, duke iu referuar videos së transferimit të Osmanit nga burgu i Cyrihut për në Majorka.
Megjithatë, ish-ministri nënkuptoi të jetë takuar me familjarë të Bashkim Osmanit në Majorka.
“Po unë atje nuk e kam Islom Haraqinë”, u shpreh ish-zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Astrit Haraqija është i bindur për pafajësinë e mikut dhe ish-këshilltarit të tij. Siç vlerësoi ai në deklarim për Paparacin, Bashkim Osmani “s’ka shanse me u marrë me ato punë”.
Ndërkohë që arrestimin Osmanit dhe transferimin e tij nga një burg, në tjetrin, ish-ministri i konsideroi “filma”.
“Dhe siç kam thanë që s’ka shanse me u marrë me ato punë. Tash gjithë ato filma që u bënë asnjë nuk qëndron. Presim ditë të mira. Unë jam optimist gjithmonë. Koha është ari, Zoti ka plane çuditshme”, shtoi Haraqija.
Astrit Haraqija edhe në një intervistë të mëhershme me Paparacin ishte shprehur i bindur se Bashkim Osmani dhe vëllezërit e tij janë të pafajshëm.
Mediumet kroate raportonin se Bashkim Osmani për një kohë ka shërbyer si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës. Këta të fundit nuk kishin përmendur emra.
Ndërkohë që vetë ish-ministri për Paparacin kishte deklaruar se është këshilluar nga Bashkim Osmani.
“Po e vërtet ka qenë. Unë, edhe sot i falënderohem për gjithë ato porta që ai i ka hapur në Këshillin e Sigurisë ose OKB-në, në Uashington, organizata sportive në Evropë”, kishte thënë ai për Paparacin.
Një operacion i Rrjetit të Policisë Evropiane (EUROPOL), të mërkurën e 15 shkurtit ka vënë në pranga Bashkim Osmanin.
Siç raportoi gazeta kroate Jutarnji List, Osmani u kap në Kroaci, transmeton Paparaci.
Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën ishin të përfshirë edhe shqiptarët.
Qazim Osmani, i cili drejton një rrjet të kazinove në Evropë, bashkë me vëllezërit e tij, Bashkimin, Burimin dhe Bekimin, prej vitesh jetojnë në Gjermani. Atje kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera evropiane.
Në mediat evropiane, vëllezërit Osmani po përmenden si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Evropë./Paparaci.com
