“Pas zgjedhjeve të 3 prillit dhe formimit të një shumice të re parlamentare dhe një qeverie të re, udhëheqja politike e Serbisë duhet të jetë e qartë në përkushtimin e saj ndaj zgjedhjes strategjike të Serbisë për Evropën”, thotë për Radion Evropa e Lirë Vlladimir Billçik, raportues i Parlamentit Evropian (PE).
Billçik e thekson këtë në përgjigjen e tij ndaj pyetjes se a pret përparim në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) këtë vit.
Gjatë tri javëve të agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia nuk tregoi synimin e saj për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Më 15 mars, BE-ja vendosi një paketë të katërt sanksionesh ndaj Moskës, duke e izoluar Rusinë nga sektori bankar dhe tregtar, me synimin për t’i ndalur vuajtjet në Ukrainë.
Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, Billçik shprehu keqardhjen që Serbia nuk iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër regjimit të Vladimir Putinit, duke vlerësuar se zgjedhja e Serbisë do të ketë pasoja të gjera politike.
“Qëndrimi i Serbisë tashmë ka nxitur një debat të gjerë në Parlamentin Evropian, për perspektivën e saj evropiane. Pres që kjo çështje gjithashtu të luajë një rol të rëndësishëm në debatet politike mbi raportin tim për Serbinë në Parlamentin Evropian, më vonë këtë pranverë”, theksoi Billçik për Radion Evropa e Lirë.
Si raportues, Vlladimir Billçik i paraqet Parlamentit Evropian një raport për progresin e Serbisë në integrimet evropiane.
Porositë nga Brukseli për Beogradin
Që nga fillimi i agresionit rus, Brukseli i ka dërguar disa herë porosi Beogradit se vendet kandidate për në BE nuk pritet të tërhiqen mënjanë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë.
Gjithashtu, në deklaratat e zyrtarëve evropianë është theksuar se renditja në anën e gabuar të konfliktit, do të ketë çmimin e vet.
Një ditë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Serbia tha se e konsideronte të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe mbështeti rezolutën e OKB-së që dënonte agresionin rus kundër Ukrainës.
Por, është i vetmi vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE dhe që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërkaq që është pothuajse edhe i vetmi vend në Evropë me një vendim të tillë.
Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikat e demokratizimit në Berlin, thotë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi mendon se mund të vazhdojë të mbajë qëndrimin “edhe Rusia edhe BE-ja”.
“Në këtë moment gjeopolitik ‘ose-ose’, Beogradi e ka shpenzuar kapitalin e tij që të mund të nxirret sikurse deri më tash”, vlerëson ai.
Politika e Vuçiqit ‘edhe BE-ja, edhe Rusia’
Një nga shpjegimet e presidentit Aleksandar Vuçiq se pse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë ishte se ajo nuk do të nxitojë drejt armiqësive për shkak se dikush po ia kërkon një gjë të tillë. Në të njëjtën kohë, Vuçiq nënvizoi se Serbia është në rrugën evropiane, sepse ky është orientimi i saj.
Edhe para agresionit rus ndaj Ukrainës, Vuçiq pati thënë se Serbia kishte orientim pro-evropian, por edhe se ruan marrëdhënie të mira me SHBA-në, Rusinë dhe Kinën.
Tani zyrtarët në Beograd thonë se nuk mund të vendosin sanksione ndaj Rusisë, për shkak të interesave të tyre jetike ekonomike dhe politike. Gjithashtu, i theksojnë edhe marrëdhëniet “tradicionalisht të mira” mes dy vendeve.
Përveç varësisë nga burimet ruse të energjisë, Serbia llogarit edhe në mbështetjen politike të Rusisë për Kosovën, pavarësinë e së cilës nuk e njeh. Në të njëjtën kohë, Serbia, nën patronazhin e BE-së, është duke negociuar me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, që do të duhej të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Weber vlerëson se do të jetë jashtëzakonisht i vështirë vazhdimi i politikës së uljes në dy karrige, veçanërisht sapo të kalojnë zgjedhjet e prillit.
Në Serbi, më 3 prill, mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare.
Përkujtim i situatës Merkel-Tadiq
“Ky është padyshim një moment vendimtar për regjimin e tij (të Vuçiqit) – ai kujton ndryshimin e kursit politik të BE-së ndaj Serbisë në gusht të vitit 2011, kur Angela Merkel ndaloi politikën e regjimit të Tadiqit ‘edhe Kosova edhe BE-ja’, duke e vënë atë përballë një zgjedhjeje”, thotë Weber.
“Vendimi kundër BE-së, siç dihet, pati një ndikim vendimtar në rënien e regjimit të Tadiqit”, shton ai.
Në vitin 2011, kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, i kërkoi presidentit serb, Boris Tadiq në Beograd, ndër të tjera, të shfuqizojë institucionet paralele (të cilat funksiononin sipas sistemit serb) në veri të Kosovës, gjë që ai nuk e pranoi.
Tadiq, i cili i humbi zgjedhjet në vitin 2012, proklamonte politikën “edhe BE-ja edhe Kosova”.
Pas bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, më 11 mars, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se ata që ndajnë “vlerat evropiane nuk mund të qëndrojnë anash kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë”.
Bodo Weber thekson se tani nuk është viti 2014.
“Me pushtimin rus të Ukrainës, i cili shkaktoi një unitet deri më tani të paimagjinueshëm si të BE-së, ashtu edhe të Perëndimit, situata ndryshoi brenda natës”, thotë Bodo Weber.
Serbia nuk iu bashkua sanksioneve që BE-ja i vendosi ndaj Rusisë në vitin 2014, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për forcat separatiste pro-ruse në lindje të vendit në Donjeck dhe Luhansk.
Serbia, gjithashtu, në OKB voton në anën e Rusisë, kur bëhet fjalë për rezolutat që dënojnë pushtimin rus të gadishullit ukrainas të Krimesë.
A është i mundur pezullimi i përkohshëm i negociatave?
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Billçik, thotë se instrumentet ekzistuese sikurse negociatat e pranimit, korniza e zgjerimit dhe instrumentet financiare të lidhura me zgjerimin, duhet të përdoren plotësisht për të arritur stimuj pozitivë për Serbinë pro-evropiane, duke përfshirë pozicionin e saj ndaj sanksioneve.
“Kjo është qasja që unë do ta mbështesja në javët dhe muajt e ardhshëm, për të punuar në ndryshimin e pozicionit të Serbisë. Ne duhet t’i përdorim të gjitha mjetet ekzistuese drejt zhvillimeve të mundshme pozitive në këtë çështje dhe jo për pezullimin”, thotë Billçik.
Më herët, grupi prej nëntë parlamentarësh nga grupimi politik liberal në Parlamentin Evropian i kërkuan Komisionit Evropian të ngrijë përkohësisht bisedimet e pranimit me Qeverinë serbe dhe të mohojë mbështetjen financiare për shkak të dështimit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.
“Serbia është e lirë të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë, por nuk mund të vazhdojë të konsiderohet një bashkëbisedues i besueshëm dhe nuk mund të vazhdojë të përdorë ndihmën financiare të para-anëtarësimit derisa të vendosë”, thuhet në letrën e parlamentarëve./REL
