Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas vdekjes së ish-sekretares së Shtetit të ShBA-ve, Madeleine Albright.
Osmani e tronditur nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright tha se ajo ishte shpresa jonë kur ne nuk e kishim, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah.
“E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah”, shkroi ajo.
Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e tij të dytë.
Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s , nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
