Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, Vlladimir Dimitrijeviq, tha se institucioni është në pritje të informatave nga organet shtetërore rreth mundësisë së votimit në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.
Në një seancë të KRZ-së së Serbisë të mërkurën, Dimitrijeviq tha se çdo gjë që ka të bëjë me votimet dhe refuzimin e Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, anëtarët e KRZ-së i kanë mësuar përmes mediave.
“Kemi informata se gjatë ditës së nesërme do të marrim informata zyrtare nga organet kompetente shtetërore përkitazi me mundësinë e votimit në Kosovë dhe si është situata momentale”, ka thënë kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq.
Dimitrijeviq ka theksuar se në harmoni me këtë KRZ-ja do të merr masat e nevojshme, dhe ka thënë se pret që nesër mbrëma KRZ-ja do të mbajë edhe një takim në lidhje me këtë.
Ai ka paralajmëruar se KRZ-ja “do të ndërmarrë vendimet përkatëse”, në përputhje me rekomandimet e organeve kompetente shtetërore.
Shtetet e Quint-it, në anën tjetër, kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill.
Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.
Ky reagim pasoi refuzimin nga ana e Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill në territorin e saj, pa një kërkesë apo marrëveshje të drejtpërdrejtë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në deklaratën e Quint-it mirëpritet vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit në Ukrainë, duke ndjekur shembullin e BE-së, por edhe të SHBA-së.
